Jashari: S'ka promovim të të drejtave për komunitetin LGBT

Kosova

Jashari: S'ka promovim të të drejtave për komunitetin LGBT

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 10:30

"Besoj që dy janë problemet kryesore, e para është që nuk ka një promovim të mjaftueshëm të të drejtave të personave LGBT, dhe e dyta, në sistemin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut gjithashtu ka pengesa", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Zoti Jashari, raportet e ndryshme ndërkombëtare përmendin se nuk ka respektim të të drejtave të komunitetit LGBT. Cilat janë të dhënat që ju keni në këtë çështje?

Hilmi Jashari: Në fakt, zoti Kurteshi [Sami Kurteshi, ish Avokati i Popullit] ka publikuar disa raporte, dhe ka dhënë disa vlerësime publike lidhur me çështjen e personave LGBT, unë kam pranuar detyrën ka tash një muaj e gjysmë apo dy eventualisht. Mirëpo, institucioni i avokatit të popullit ka ngritur këto shqetësime publike lidhur me trajtimin që I është bërë personave të kësaj kategorie, si dhe se sa janë respektuar ato, kanë qenë shqetësime që janë adresuar në raportet e tij vjetore, mirëpo situata është e tillë, e ende vazhdon.

Besoj që dy janë problemet kryesore, e para është që nuk ka një promovim të mjaftueshëm të të drejtave të personave LGBT, dhe e dyta, në sistemin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut gjithashtu ka pengesa.

Unë e di që kohën e fundit ka pasur një raport që ka identifikuar që të gjitha rastet që janë iniciuar në polici, së paku ato që janë raportuar, sepse disa nga to nuk raportohen për arsye të ndryshme, mirëpo për ato që janë raportuar deri më sot ende nuk ka ndonjë vendim nga organet ekzekutive dhe ato të prokurorisë, lidhur me ndëshkimin e personave të cilët kanë cënuar të drejtat e kësaj kategorie të personave.

Ky komunitet ankohet se nuk ka respektim të të drejtave të tyre, pothuajse nga të gjitha institucionet, derisa thuhet se ato institucione kanë projekte për respektim dhe integrimin e këtij komuniteti. Si e shihni punën e institucioneve ju në këtë rrafsh?

Hilmi Jashari: Njëra prej institucioneve kyçe në kuadër të Qeverisë së Kosovës është zyra për qeverisje të mirë, në kuadër të zyrës së kryeministrit, e cila ka hartuar disa dokumente strategjike, për shembull është një strategji për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, mirëpo një e metë e madhe ka qenë fakti se këto strategji nuk janë zbatuar në praktikë, nuk kanë pasur ndonjë ndikim drejtpërdrejtë në praktikë dhe njëra prej shqetësimeve që në kemi ngritur dhe tani jemi duke diskutuar është në fakt kjo çështje. Nëse këto strategji janë duke prodhuar efektin e duhur për qytetarë, dhe e dyta cilat kishin me qenë zgjidhjet?

Ne jemi të mendimit se nuk guxon të fragmentizohet situata në kryeministrinë e Kosovës, sidomos te kjo zyrë, sa i përket strategjive që kanë në dispozicion, janë diku përmbi 13 strategji të ndryshme për të drejtat e njeriut dhe mendojmë që sintetizimi i këtyre strategjive me një strategji të vetme nacionale për të drejtat e njeriut, dhe të qënit pjesë e një grupi që do të kujdeset për zbatimin e saj në praktikë, do të siguronte një efekt më praktik.

Kjo zyrë do të duhej që të raportojë në Kuvendin e Kosovës për punën që ka bërë gjatë një viti në mënyrë që të sfidohen për efektet që kanë mundur t’i arrijnë ose jo për të drejtat e njeriut. Ndërkohë ne kemi një takim tash me këtë zyrë ku do të planifikojmë dhe të ngrisim shqetësimet tona lidhur me mënyrën e zbatimit të rekomandimit që avokati i popullit i drejton gjithë qeverisë, ngase është një strukturë përgjegjëse për monitorimin e rekomandimeve të avokatit të popullit që munden me mbulu edhe këtë kategori të njerëzve.

Mirëpo, duhet të koordinohen këto situata në rend të parë, strategjitë duhet të jenë të zbatueshme, jo vetëm strategjike që mbesin në sirtarë dhe nuk kanë ndonjë efekt praktik, dhe e dyta gjithashtu ngritet përgjegjshmëria e strukturave ekzekutive qeveritare, për punën që kanë bërë ose jo.

Zoti Jashari një nga çështjet që është diskutuar për këtë komunitet (LGBT) është ajo që thuhet në Kushtetutë dhe Ligjin për Familje. Në Kushtetutë është thënë se persona me gjini të njëjtë mund të martohen, kurse ligji nuk e lejon një gjë të tillë...

Hilmi Jashari:Po është njëri prej debateve që vazhdimisht është nxitur në forumet juridike sa i takon konfliktit. Unë gjithashtu jam dakord që ekziston një konflikt lidhur me ketë çështje. Mirëpo, kohëve të fundit janë nxjerrë tri ligje bazë që kanë të bëjnë më drejtat e njeriut që ndryshe janë quajtur paketa e ligjeve për të drejtat e njeriut, Ligji për Avokatin e Popullit, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi është një prej ligjeve bazë tash që e trajton gjithashtu këtë çështje. Një nga përkufizimet që është përdorur në ligj në nenin e parë është ajo që ka përfshirë edhe identitetin gjinor për dallim nga bazat e tjera të diskriminimit që janë gjinia ose origjina dhe orientimi seksual.

Me fjalë të tjera, vetë ligjvënësi e ka pranuar identitetin gjinor si një prej bazave që personat mund të trajtohen ndryshe dhe kjo e ndalon ketë trajtim që mund t’ju behët ndryshe këtyre personave.

Me fjalë të tjera, (Ligji) i ofron mbrojtje kësaj kategorie të personave. Meqenëse Ligji është miratuar së voni dhe ka hyrë në fuqi afërsisht një apo dy muaj dhe është i zbatueshëm tani, mbetet të shihet prej organeve gjyqësore, sidomos se sa do ta zbatojnë këtë përkufizim të ligjit dhe si ai në praktikë do të trajtohet prej anës së gjyqësorit, që është me e rëndësishme sepse në fakt gjyqësori është ai që i jep frymën e ligjit edhe atë komponenteten praktike të ligjit për të parë efektin e tij në praktikë.

Megjithatë mendoj se Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi do të duhej të merret për bazë ngase po them edhe një herë, kur ka hartuar ligjvënësi këtë përkufizim dhe ka futur ketë përkufizim të identitetit gjinor, mendoj që fokusi kryesor ka qenë edhe te këto kategori të personave me të cilët është supozuar t'u ofrohet një mbrojtje me e madhe; sepse ne rrethana të tjera dallimi mes të gjinisë dhe orientimit seksual kishte me qenë i mjaftueshëm sikur të supozohet ose të mbrohet qëndrimi për të kufizuar ketë të drejtë, ndërsa nëse futet identiteti gjinor të mos supozohet që shteti po tenton të ofrojë siguri më të madhe edhe po tenton të ofrojë të drejta më të mëdha kësaj kategorie të personave.

Prandaj, mendoj se në praktikë do të duhet të zbatohen gjithashtu edhe këto përkufizime që janë futur në Ligjin kundër diskriminimit.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni zbatimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me Kushtetutën e Kosovës (praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane)?

Hilmi Jashari: Po është pyetja më korrekte në ketë situatë, sepse vetë Kushtetuta ka përcaktuar se kur kemi konflikte mes ligjeve, atëherë përparësi zbatimi kanë standardet ndërkombëtare.

Standardet ndërkombëtare në Kushtetutën e Kosovës janë përmendur tetë. Janë përmendur saktësisht me një ligj sqarues, mirëpo mbi të gjitha për nevoja të këtij shpjegimi më e rëndësishmja është që Konventa Evropiane për të drejta të njeriut është përmendur dhe është numëruar si standard i cili duhet të ketë përparësi zbatimi kur ka konflikte në sistemin tonë të brendshëm të ligjeve.

Gjithashtu është edhe një nen tjetër në Kushtetutën e Kosovës, neni 53 i cili gjithashtu thotë që gjithmonë kur vendosin organet publike për çështjen e të drejtave të njeriut duhet të zbatojnë praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Strasburgut.

Problemi gjithmonë ka qenë që edhe institucionet publike duke përfshirë edhe administratën edhe institucionet gjyqësore nuk kanë qenë në gjendje ta zbatojnë këtë praktikë të Gjykatës Evropiane të Strazburgut me përjashtim në disa raste, Gjykata Kushtetues e Kosovës, e cila prapë nuk konsiderohet si gjykatë e rregullt sepse kjo do të duhej të vendosej prej organeve të rregullta të administratës dhe gjyqësorit.

Megjithatë Gjykata Evropiane ka një numër te konsiderueshëm të rasteve që kanë evoluuar prej kohës kur është themeluar Gjykata Evropiane, të cilat në parim janë shumë afirmative për të drejtat e komunitetit LGBT dhe që njohin ketë të drejtë dhe kanë konfirmuar me qindra raste deri me tani.

E vetmja gjë që në këtë situatë që do të kishte mundur t'i bëjë favor situatës në Kosovë edhe sa i parket konfuzionit të ligjeve, është nëse zbatohet në praktikë ky nen i Kushtetutës së Kosovës e në fakt janë dy nene, 22 dhe 53, të cilët flasin drejtpërdrejtë për obligimet që ka Kosova për t'i zbatuar standardet ndërkombëtare, e standardet ndërkombëtare janë të qarta për ketë situatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat