​Diplomatët e karrierës me status si të punonjësve të AKI-së dhe FSK-së

Kosova

​Diplomatët e karrierës me status si të punonjësve të AKI-së dhe FSK-së

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 15:04

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka qenë e vetmja në rajon që nuk ka ndarë ligjërisht zyrtarët që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm dhe ata që janë pjesë e Shërbimit Civil. Deri më tani, të gjithë punëtorët e MPJ-së, përfshirë edhe ambasadorët janë njohur si shërbyes civil.

Kjo pritet të ndryshojë shumë shpejt. Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, i cili është prezantuar nga zëvendëskryeministrit Thaçi dhe miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë pritet të bëjë një ndarje të qartë ndërmjet diplomatëve të karrierës dhe shërbyesve civil.

Ardian Arifaj, këshilltar i kryediplomatit të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se shërbimi i jashtëm do të përbëhet nga diplomatët e karrierës dhe shërbyesit civil.

“Risi është që diplomatët e karrierës nuk do të jenë më pjesë e shërbimit civil, por do të kenë një status të barasvlershëm me atë të punonjësve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe Forcat e Sigurisë së Republikës së Kosovës”, tregon Arifaj.

Sipas tij, kjo është bërë për shkak të detyrave dhe natyrës specifike të Shërbimit të Jashtëm dhe për faktin se dispozitat ligjore dhe rregullat për shërbi min civil, si në nivelin normativ, ashtu edhe në praktikë, nuk kanë korresponduar me specifikat dhe nevojat e Shërbimit të Jashtëm.

“Megjithatë, rregullat ligjore për shërbimin civil do të vazhdojnë të zbatohen edhe për Shërbimin e Jashtëm aty ku ligji për shërbimin e jashtëm nuk përmban rregulla të veçanta”, vlerëson ai, raporton KP.

Me ligjin e ri parashihet që personeli i punësuar në MPJ në sektorët e auditimit dhe të financave, të prokurimit publik dhe të burimeve njerëzore, të logjistikës dhe të teknologjisë informative do të vazhdojnë të mbeten shërbyes civil.

Këto funksione sipas Ligjit janë të natyrës administrative dhe jo diplomatike dhe se për këta nëpunës zbatohen dispozitat e legjislacionit për shërbyesit civil.

Megjithatë, ligji i ri parasheh që në rastet kur ka pozita të lira dhe është me interes për Republikën e Kosovës, shërbyesi civil i punësuar në MPJ për jo më pak se dy vjet mund të kalojë në Shërbimin e Jashtëm si diplomat i karrierës.

Kjo mund të ndodh vetëm nëse i plotëson kushtet ligjore për diplomat të karrierës dhe kalon me sukses provimin e organizuar nga Komisioni i Karrierës Diplomatike, në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike.

“Për dallim prej diplomatëve të karrierës dhe shërbyesve civil të punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, personeli teknik i punësuar në misionet diplomatike dhe postet konsullore nuk është pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, shton Arifaj, i cili thotë se ligji ka edhe shumë risi të tjera, të cilat do të sqaron ditëve në vazhdim. “Është projektligj tejet i avancuar, që është hartuar bashkë me të gjitha palët e interesit, si me shoqërinë civile, ashtu edhe me deputetë e palë të tjera dhe ka shumë ndryshme, që janë nisur edhe nga qeverisja e kaluar, ka edhe shumë të reja, por që të gjitha këto do të trajtohen më detajisht ditëve të ardhshme”, thotë Arifaj, raporton KosovaPress.

Sot gjatë ditës, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës. Me këtë rast, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm tha se Kosova është duke zhvilluar një politikë të jashtme dinamike, me qëllim të fuqizimit të vazhdueshëm të shtetësisë edhe nëpërmjet anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat