Në Kosovë bie numri i nxënësve që nisin shkollimin fillor

Kosova

Në Kosovë bie numri i nxënësve që nisin shkollimin fillor

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 13:54

Numri i fëmijëve që regjistrojnë klasën e parë, nga viti në vit po shënon rënie. Krahasuar me vitin shkollor 2005/06 kur numri i nxënësve që regjistruan klasën e parë ishte 32 mijë, në vitin 2015/16 numri i të regjistruarve bie në 28 mijë.

Edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pranojnë se ka rënie të theksuar të nxënësve që nisin shkollimin fillor. Arsye për këtë, thonë se është rënia e natalitetit dhe migrimi i familjeve nga Kosova.

Nga viti 2005 deri në vitin 2010 numri i nxënësve që regjistruan klasën e parë shkonte në 30 mijë. E në vitin shkollor 2011/12 ra në 29 mijë, ku vazhdoi përsëri me rënie në vitin 2012/13, në 28 mijë.

Vitin e kaluar, 28 mijë e 202 nxënës e regjistruan klasën e parë. Ndryshon për 4 mijë më pak krahasuar me 10 vjet më parë.

Këshilltari i ministrit të arsimit, Azem Guri, duke u thirrur në statistikat e sistemit të menaxhimit të informatave në arsim, thotë se po vërehet një rënie e theksuar e nxënësve që për herë të parë i bashkohen shkollës.

“Para 10 viteve në klasat e para janë regjistruar rreth 32 mijë nxënës, ndërsa pas 10 viteve nëse e marrim këtë statistikë, gjegjësisht këtë shifër, në klasën e parë janë regjistruar mbi 28 mijë nxënës. Prej 32 mijë, kemi rënie të nxënësve të regjistruar në klasat e para, në 28 mijë”, thotë ai.

Arsyeja për këtë, sipas Gurit, është tashmë e ditur. Rënia e natalitetit dhe shpërngulja e qytetarëve nga vendi, janë përgjigje për numrin e nxënësve fillestarë nëpër shkolla, që po shënon ulje, thotë ai.

“Rënie e natalitetit, pastaj mund të kemi edhe zhvendosje të popullatës, lëvizje të familjeve që kanë lëvizë nga Kosova në vende të ndryshme. Në këtë periudhë 10 vjeçare, është kjo rënie e theksuar e numrit të nxënësve. Rënia e numrit të nxënësve është duke e përcjellë sistemin arsimor nga viti në vit. Çdo vit ne kemi rënie të numrit të nxënësve”, tha Guri.

Ndërsa nxënësit që këtë vit e regjistruan klasën e dhjetë janë rreth 32 mijë.

Numri i përgjithshëm në sistemin e arsimit parauniversitar është mbi 390 mijë nxënës. Prej tyre, 28 mijë janë në klasat e para e 32 mijë në klasat e dhjeta.

Përndryshe kushtet bazë për regjistrim përcaktohen nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT). Gjithashtu, edhe numri i nxënësve nëpër klasa është i rregulluar me udhëzim administrativ nga MAShT. Për shkolla të mesme më së shumti lejohet të jenë deri në 32 nxënës në klasë.

Aktualisht, Kosova është në reformimin e sistemit të arsimit, në çështjen e implementimit të kurrikulës së re e cila është bazuar në kompetenca, e që po pilotohet në 92 shkolla të Kosovës. MA ShT synon që dy vjet më vonë kjo kurrikulë të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat