Veseli takon qytetaren izraelite, të lindur në Kosovë, e mbijetuar e Holokaustit

Kosova

Veseli takon qytetaren izraelite, të lindur në Kosovë, e mbijetuar e Holokaustit

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 13:18

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot qytetaren izraelite, të lindur në Kosovë, Stela (Esther) Levi, e mbijetuar e Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e familjes të së cilës ishte viktimë e politikës shfarosëse naziste.

Duke e falënderuar znj. Levi për vizitën e saj në Kosovë pas disa dekadash, kryetari Veseli potencoi kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen dhe strehimin e komunitetit hebraik në Kosovë.

“Rrëfimi i saj është dëshmi e humanizmit heroik që shqiptarët treguan gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mbrojtjen e hebrenjve nga Holokausti”, theksoi kryetari Veseli, bëhet e ditur në një komunikatë të Kuvendit të Kosovës.

“Znj. Stela Levi, nga ana e saj, u shpreh e emocionuar për vizitën pas shumë vitesh në vendlindje, ndërsa theksoi peripecitë e saj pas zhdukjes së një pjese të familjes. Duke e falënderuar përzemërsisht kryetarin Veseli për pritjen, znj. Levi konsideroi të rëndësishme njohjen e vendit të saj të lindjes nga ana e fëmijëve të saj”, thuhet në fund të komunikatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat