Drejtësia selektive e Isa Mustafës

Kosova

Drejtësia selektive e Isa Mustafës

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 12:52

Sot, me një shpejtësi të pazakonshme për sistemin tonë të drejtësisë, u dënua një qytetar që i shqetësuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, paska “kërcënuar” ministrin Arban Abrashi dhe djalin e kryeministrit.

Derisa vetë kryeministrit i trajtohen tash e 2 vite 70 lëndë për krime e korrupsion; derisa djemt e tij tash e 2 vite kanë procese të hapura për keqpërdorime; derisa gjithandej nëpër media raportohet nepotizmi me tendera i kryeministrit Mustafa; derisa Ramadan Muja i PDK-së tash e 2 vite nuk gjykohet për keqpërdorimet e komunës... gjykatat e Isa Mustafës godasin qytetarët, vetëm atëherë kur cënohen familjarët apo ministrat e tij.

Ditëve të fundit e pamë hapur se si preokupimi kryesor i kësaj qeverie është ruajtja e pronave të veta private. Qeveria nuk brengoset aspak për shtetin që po e defunksionalizon dhe ndanë etnikisht, nuk brengoset aspak për gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve që po ua rritë çmimet. Qeveria brengoset vetëm kur janë në pyetje djemt e kryeministrit, ministrat dhe familjet e pronat e tyre private.

Para disa ditësh, deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! z. Fisnik Ismaili u kërcënua publikisht nga Ramiz Hoti, zyrtar i Policisë së Kosovës. Askush nuk ndërmorri asgjë për këtë rast. Ndërkaq, para ca kohësh, një zyrtar tjetër policor me emrin Samet Uka kërcënoi deputetin e VETËVENDOSJE!-s Albin Kurti me “kallje me benzinë”. Askush nuk ndërmorri asgjë për këtë rast.

Ne nuk e kuptojmë se çfarë shteti demokratik e i drejtë qenka ky, që kur kërcënohet djali i kryeministrit apo ndonjë vartës i tij, reagon Policia me shpejtësi enorme dhe gjykata bëhet jashtëzakonisht efikase, ndërsa kur një zyrtar i shtetit kërcënon deputetin e opozitës, as nuk merret në pyetje nga policia se lëre më të arrestohet apo dënohet.

2 shtator 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat