​Opozita dhe Shoqëria Civile: Kosova po shkatërrohet

Kosova

​Opozita dhe Shoqëria Civile: Kosova po shkatërrohet

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 11:10

(E plotësuar) Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e cila i jep Serbisë të drejta të plota në kontroll të komunave me shumicë serbe, po e qojnë shtetin e Kosovës drejt federalizimit të saj.

Lëvizja Vetëvendosje mendon se kjo marrëveshje do bëjë që shteti i Kosovës të jetë jo funksional dhe një pjesë e mirë e saj të menaxhohet direkt nga shteti serb.

Me anë të kësaj marrëveshje po ashtu sipas Vetëvendosjes, Kosova do humb pasuri të shumta natyrore, të cilat do e pamundësojnë zhvillimin ekonomik të saj.

Mendime të njëjta ka edhe pjesa tjetër e Opozitës dhe Shoqëria Civile, të cilat u mblodhën sot në një tryezë të përbashkët të thirrur nga Vetëvendosje.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, u shpreh se Kosova është në të njëjtën pozitë sikur Bosnja vite më parë. E qeveritarët në vend se të kontestonin këtë strategji të Serbisë, ata e kanë ushqyer edhe më shumë këtë gjë.

“Edhe Republika Se rbe në Bosnje pati filluar si Zajednicën, pati filluar si bashkim I komunave serbe dhe kjo ka qenë kudo nëpër vendet e ish Jugosllavisë, ka pas ndikim Serbia përmes popullatës të saj, përmes instrumentalizimit të popullatës serbe e ka ndjek strategjinë e krijimit të autonomive territoriale për popullatën e vet të cilat pastaj territori I kontrollon nëpër mjet diktatit politik…çka është me e keqja, qeveritarët e Kosovës në vend që të zbatonin politikat, të cilat e kontestojnë këtë strategji të Serbisë, strukturat paralele dhe të krijimit të realiteteve të pavarura Brenda Kosovës, ata në masë të madhe e kanë ushqyer vet këtë strategji të Serbisë. Si rrjedhojë e kësaj mund të themi që erdhi edhe kjo marrëveshja e fundit. Serbia prej vitit 99 është përpjekur të krijojë komuna të reja me shumicë serbe …me Zajednicë rrezikojmë të shkojmë drejt federalizmit të Kosovës”, tha Konjufca.

Kurse kryetari i kësaj partie, Visar Ymeri tha se asociacioni në njëfarë mënyre nënkupton shkrirje të subjektivitetit. Sipas tij, Zajednica gëzon të drejtën të jetë përjashtuese karshi tjerëve.

“Nëse i referohemi ligjeve të Kosovës, komunat kanë të drejtë të themelojnë asociacione...asociacioni në njëfarë mënyre nënkupton që e drejta dhe praktikimi i shoqërive nënkupton shkrirje të subjektivitetit ...shihet qartë që kjo do të jetë ndryshe prej asociacionit që e kemi tash dhe kjo do të jetë në shpërputhje me ato të drejta të sanksionuara tashmë me ligjet e Kosovës”, tha Ymeri.

I mendimit se kjo marrëveshje do e shkatërrojë Kosovën, është edhe Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas Isufit, qeveritarët po tentojnë që tu hedhin hi syve të opinionit.

“Konsideroj se prej shpalljes së pavarësisë nuk ka pasur ngjarje që ka dëmtuar më shumë sesa kjo Kosovën...kamuflimi me dykuptimësi në tri gjuhë në dokumente është mënyra më e mirë për të parë se kemi të bëjmë me një hedhje hi syve të opinionit në Kosovë për ta mashtruar këtë opinion”, tha Isufi.

Kurse Krenar Shala, nga shoqëria civile, përmendi edhe problemet që po i shfaqen Kosovës lidhur me demarkacionin. Sipas tij, me këto marrëveshje territori i Kosovës po tkurret çdo herë e më shumë.

Shala konsideron se Kosova ndodhet në disavantazh çdo herë përballë këtyre marrëveshjeve, sepse do të qeveriset direkt nga Serbia.

“Kosova e ka një sipërfaqe të vogël prej 10 mijë e 980 kilometra katrorë, dhe kjo marrëveshje që bëhet pa Kuvendin e Republikës së Kosovës, atëherë do të jetë shumë e dëmshme. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe me formimin e asociacionit për komunat, Kosova këtu nuk është në avantazh...Kosova çdo herë po tkurret. Me nënshkrimin e marrëveshjes të demarkacionit Kosova humb rreth 10 mijë hektarë...prandaj çdo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën...kjo është humbje, sepse me formimin e asociacionit ata do të kenë qeverisje direkt nga Serbia, dalin e hyjnë kur donë as nuk kërkojnë leje”, tha Shala.

Aktivistët e kësaj partie kanë disa ditë që organizojnë aksione simbolike para Qeverisë së Kosovës. Vetëvendosje kërkon që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryeministri Isa Mustafa të heqë dorë nga pozita e kryeministrit.

​Konjufca: Marrëveshjet po e qojnë Kosovën drejtë federalizimit

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, e cila i jep Serbisë të drejta të plota në kontrollin e komunave me shumice serbe, po e qon Kosovën drejt federalizimit të saj.

Kështu u tha sot gjatë një takimi publik të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilin morën pjesë edhe partitë tjera opozitare.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, tha se qeveritarët do duhej ta kontestonin këtë politikë por ata po e ushqejnë këtë strategji si pasojë e të cilës rodhi kjo marrëveshje.

Kurse kryetari i kësaj lëvizje Visar Ymeri, tha se kjo marrëveshje nënkupton shkrirjen e subjektivitetit të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat