​Policia nis hetimet për rrënimin e rrethojës së Qeverisë nga ana e VV-së

Kosova

​Policia nis hetimet për rrënimin e rrethojës së Qeverisë nga ana e VV-së

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 20:31

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Prishtinës, me anë të një komunikate sonte ka njoftuar se ka nisur hetime për “dëmtim apo asgjësim të pronës”, respektivisht lidhur me aksionin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila rrënoi rrethojën e Qeverisë.

“Sot në ora 16:00, policia ka marrë informacionin se në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë një grup prej 30 – 40 personash, kanë dëmtuar pjesërisht rrethojat e objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Menjëherë pas informacionit, policia ka dalë në vendin ku është zhvilluar ngjarja dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve policore me qëllim të ekzaminimit të vendngjarjes, hetimit të rrethanave si dhe identifikimit të personave që kanë kryer aktin.

Ndërkohë që marrë për bazë rrethanat e sipër cekura me rekomandimin e Prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar si asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Aktualisht janë duke u kompletuar të gjitha veprimet e nevojshme për të proceduar edhe më tej me hetimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në komunikatën e policisë.

Aktivistët e Vetëvendosjes sot i hoqën barrikadat e posavendosura me arsyetimin se “demokracia nuk lejon që qeveria të ndahet nga populli” dhe se “barrikadat e vendosura para Qeverisë kanë qenë vazhdimësi e disa veprimeve jo të mira të kryeministrit Mustafa”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat