Ministria jep 65 mijë euro për stadiumin e Lipjanit

Kosova

Ministria jep 65 mijë euro për stadiumin e Lipjanit

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 16:31

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Lipjanit.

Qëllimi i këtij Memorandumi është mbështetja financiare për renovimin e Stadiumit të Qytetit në Lipjan, projekt ky i cili do të implementohet përgjatë viteve 2015-2016. Në këtë projekt, MKRS-ja do të investojë 65 mijë euro, ndërsa Komuna e Lipjanit, 25 mijë euro.

Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Lipjanit Imer Ahmeti e vlerësuan këtë projekt me rëndësi për Lipjanin dhe avancimin e sportit në këtë qytet.

Ministri Shala u shpreh se MKRS-ja po angazhohet që të ndihmojë komunat në përmirësimin e infrastrukturës sportive, në mënyrë që të krijohen kushte më të volitshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit, sidomos tani kur sporti i Kosovës është në rrugë e sipër të ndërkombëtarizmit.

Ndërkaq kryetari Ahmeti falënderoi ministrin Shala për mbështetjen dhe tha se ky është një projekt tejet i rëndësishëm për Komunën e Lipjanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat