​Për vitin e ri shkollor, Arsim Bajrami uron mësimdhënësit dhe nxënësit

Kosova

​Për vitin e ri shkollor, Arsim Bajrami uron mësimdhënësit dhe nxënësit

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 19:27

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, përmes një komunikate për media ka uruar mësimdhënësit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor në mbarë territorin e Kosovës.

Për Arsim Bajramin, 1 shtatori është një datë shumë e rëndësishme në kalendarin e jetës tonë, sepse kjo datë sipas tij shënon një ngjarje të veçantë: fillimin e mësimit, pas një pushimi të gjatë.

Në urimin e tij thuhet: “Jam i sigurt se të gjithë ne do të punojmë së bashku që vërtetë ky vit shkollor të jetë i suksesshëm, të rezultojë me ngritjen e cilësisë, me një angazhim të gjithëmbarshëm të shoqërisë kosovare, sepse nuk ka prioritet më të madh se sa investimi në edukim. E ardhmja si një shtet i zhvilluar dhe i përparuar, është pikërisht në duart tuaja sot. Ne do të jemi gjithmonë afër juve, që së bashku të realizojmë synimin për cilësi. MAShT do të krijojë mundësi të reja për përgatitjen tuaj, që të jeni sa më kompetent në punën tuaj”.

Përveç kësaj Bajrami pati edhe një urim për të gjithë ata fëmijë që për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës.

“Mirë se erdhët në shkollë, vogëlushë të klasës së parë! Urime edhe për të gjithë nxënësit e klasave të tjera. Shpresoj të keni motivimin e duhur për të marrë dije, në mënyrë që nesër të jeni të aftë për ndihmuar familjen dhe shoqërinë”, thuhet në urimin e Ministrit Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat