Pluhur dhe zhurmë nga gurthyesit pa leje në Shtime

Kosova

Pluhur dhe zhurmë nga gurthyesit pa leje në Shtime

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 12:33

Në shtëpitë e tyre nuk mund të rrinë nga pluhuri dhe zhurma, kurse në oborr nuk mund të mbjellin asgjë. Kjo është gjendja e banorëve të fshatit Belinc të Shtimes, ku janë dy gurthyes që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Kështu të paktën thonë banorët , cilët thonë se nëse kjo gjendje nuk zgjidhet, nuk kanë zgjidhje tjetër përveç braktisjes së fshatit.

Ata kanë bërë disa ankesa në Komunën e Shtimes, por kjo e fundit thotë se nuk ka kompetenca. Ndërsa, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se gurthyesi “Guri ” dhe “Shpejtimi”, veprojnë vetëm me pëlqim mjedisor që përcakton kriteret për leje mjedisore, të cilën këta gurthyes ende nuk e kanë.

Banori i fshatit Belinc, Hajriz Hajrizi tha për KosovaPress se jeta e tyre është në rrezik nga ndotja që po i bëhet ambientit shkaku i gurthyesve. Ai shpaloste kërkesat e bëra deri më tani në Komunën e Shtimes, por kjo e fundit çdoherë iu kishte kthyer përgjigje negative. Hajrizi dyshon se gurthyesit i japin ryshfet komunës që t’i lejojnë ta zhvillojnë këtë veprimtari.

“Gurthyesit siç po i shihni edhe ju, pluhur, zhurma po na shkaktojnë dëme të mëdha, në shtëpitë tona nuk po mundemi të rrimë nga pluhuri dhe zhurma. Jemi ankuar në komunë, i kemi të gjitha ankesat dhe komuna ka kthyer përgjigje që nuk po iu bëjnë pluhur, ne nga qejfi nuk po ankohemi, ne kemi zor sepse për ne le të punojnë nuk është problem, vetëm pluhur dhe zhurmë mos të na bëjnë. Me pronën që ne e kemi këtu, as nuk mund të mbjellësh asgjë, as nuk mund të bësh asgjë, sepse e kanë prishur edhe tokën, shtëpinë. Dy gurthyes punojnë natën deri në ora 00:00 i kam dëgjuar, e më shumë nuk e di se a punojnë deri në mëngjes, por kur shkarkohen gurët aty që vjen kamioni i bien në gurthyes sikur me të ra gurët mbi kokë bëjnë shumë zhurmë. A i kanë dhënë komunës ryshfet, a çka nuk e di se nuk kam argument, vetëm ne nuk na përfillin fare”, tha Hajrizi.

Albulena Emini, zyrtare për mjedis në Komunën e Shtimes, e pranon që gurthyesit po bëjnë dëme por se nuk kanë kompetenca.

“Nuk do të thotë që ata nuk shkaktojnë dëme. Problemi i gurthyesve është adresuar tek ne, por komuna kompetenca nuk ka, komuna i ka kompetencat shumë të vogla, mundemi me dal të bëjmë një inspektim, ka ankesa të banorëve. Komuna sa i përket gurthyesve ka kompetenca minimale. Temperaturat e larta po ndikojnë që edhe ujitja të mos ketë efektin e duhur”, tha Emini.

Kurse, zyrtarja nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, Valdete Tahiri, tha përmes postës elektronike se këta gurthyes nuk kanë leje nga MMPH për të zhvilluar veprimtarinë e tyre por punojnë vetëm me pëlqim e mjedisore.

“Të dy gurëthyesit kanë Pëlqime Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por nuk kanë leje mjedisore, ata janë urdhëruar nga inspektorat i MMPH-së që të pajisen me Leje Mjedisore, dhe asnjë operator nuk mundet të pajiset me leje mjedisore pa i plotësuar kushtet e dhënanë pëlqimin mjedisor, dhe ne si MMPH do të kujdesemi që të mos tejkalojnë vlerat e lejuara të ndotjes së ambientit sepse përndryshe do të ndëshkohen konform dispozitave ligjore në fuqi” , tha Tahiri.

Banorët në atë pjesë po shpresojnë që ky problem do të zgjidhet së shpejti, dhe se gurthyesit do të jenë në largësi nga vendbanimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat