Vazhdojnë problemet me furnizim me energji elektrike

Kosova

Vazhdojnë problemet me furnizim me energji elektrike

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 11:43

​Disa rajone të Kosovës edhe sot do të përballen me redukime në furnizim me energji elektrike deri në orët e vona të mbrëmjes kur pritet të kthehet në punë blloku B1 i TC Kosova B. KEDS duket se nuk ka lidhur kontratë të mëhershme për të siguruar import, derisa thotë se tash nuk ka që nuk ka energji elektrike të mjaftueshme te gatshme për import.

Sipas njoftimeve nga KOSTT-it, informimi nga KEK është bërë në orë të vona, andaj edhe realizimi i importit nga operatori i furnizimit ishte i pamundur për orët e hershme të mëngjesit.

“Sipas informatave që kemi KEDS është duke bërë të pamundurën të importojë sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike sidoqoftë, ky proces mund të kërkojë kohë dhe varet nga sasitë e disponueshme në rajon deri sa për momentin jemi të informuar që nuk ka energji elektrike të mjaftueshme te gatshme për import dhe sasitë e gjetura nuk sigurojnë furnizim të rregullt”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

KOSTT do të vazhdoj me përkushtim operimin dhe balancimin e Sistemit të Energjisë Elektrike në përputhje të plotë me rregullat e përcaktuara nga ENTSO-E, ku gjatë muajve Gusht dhe Shtator ka filluar t’i nënshtrohet një monitorimi nga ky mekanizëm dhe si kërkesë do të ketë regji me operimi që i nënshtrohen kritereve më të larta.

Gjatë këtyre regjimeve të operimit siç është paralajmëruar më parë mund të paraqiten eventualisht edhe kufizime të furnizimit që mund të instruktohen nga KOSTT me qëllim të balancimit të sistemit.

KOSTT pritet që fillojë të operoj si zonë/bllok i pavarur rregullues në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale. Operimi i pavarur i KOSTT-it pritet të jetësohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Kycje ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E (European Netëork Transmission System Operator for Electricity/Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit Transmetues për energji elektrike).

“Kërkojmë nga të gjithë operatorët t’i përmbahen planeve paraprake ose që me kohë të informojnë operatorët tjerë dhe KOSTT për ndryshim të planeve duke qenë se këto devijime shkaktojnë probleme në furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat