SBASHK-u i pakënaqur me arsimin në Kosovë, kërcënon me grevë

Kosova

SBASHK-u i pakënaqur me arsimin në Kosovë, kërcënon me grevë

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 07:18

(E plotësuar) Fillimi i vitit të ri shkollor po gjen ende të paplotësuara kërkesat e Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për mësimdhënësit në Kosovë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media lidhur me vlerësimin e nisjes së vitit të ri shkollor, shprehet i pakënaqur me situatën në arsimin në Kosovë dhe paralajmëron grevë në raste se edhe gjatë muajit shtator nuk do të plotësohen kërkesat e SBASHK-ut - për kontratat kolektive, sigurimin e 70 përqërqindëshit të udhëtimit për mësimdhënësit, si dhe për tri pagat e para të pensionistëve.

Ai i ka dërguar kërkesë ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami që këtë javë të pritet në takim ku do të dialogohet lidhur me moszbatimin e kërkesave të tyre.

Jasharaj ka kërkuar edhe nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi që të dalë me një përgjigje konkrete lidhur me ligjin e skemës pensionale të mësimdhënësve gjatë viteve 90-99.

“Po ju them që tani se nuk jemi të kënaqur me situatën momentale në arsim, ngase edhe viti i ri shkollor po fillon pa u plotësuar disa nga kërkesat e kontratës kolektive pra nuk kemi lëvizje pozitive, çështja e tri pagave për mësimdhënësit që pensionohen, nuk kemi lëvizje të dukshme rreth sigurimit të 70 për qind të sigurimit, dhe nuk kemi lëvizje të pritura as lidhur me çështjen e kontratës individuale të punës...I kemi dërguar një letër ministrit Bajrami dhe presim që gjatë kësaj jave të takohemi me të dhe të debatojmë për çështje aktuale në arsim...çështje tjetër që ende nuk është definuar është çështja e viteve 90-99, presim nga ministri Abrashi që ta japë një përgjigje konkrete në kërkesat e SBASHK-ut çfarë po ndodh me këto vite”, tha Jasharaj.

SBASHK insiston që në muajin shtator drejtoritë arsimore të lëshojnë kontrata individuale, ngase këto kërkesa po zvarriten. Në të kundërtën kryetari Jasharaj tha se do të ketë grevë edhe përkundër asaj që një gjë të tillë nuk duan as ata vetë dhe as prindërit.

“Ajo që do të insistojmë është që në shtator patjetër drejtoritë arsimore të lëshojnë kontratat individuale ashtu siç jemi marrë vesh, në të kundërtën do të ketë reagime...nëse shtatori nuk jep rezultate me dialog atëherë këshilli drejtues do të mendojë se çfarë duhet vepruar, cilat veprime sindikale do t’i vëmë në jetë në mënyrë që të mbrojmë kërkesat tona, siç thash ato po zhagiten... Ju e dini greva që ndodhi ne filluam me një orë, me dy orë, me gjithë dëshirën që t’i japim dialogut hapësir ë, mirëpo në qoftë se kërkesat nuk realizohen jo që dua unë apo Ymeri, apo kryesia këtu, por mësimdhënësit do të kërkojnë veprimet sindikale dhe ne jemi zëri i tyre nëse ata kërkojnë. Unë e di që opinioni nuk i do grevat as prindërit, as ne mirëpo sindikata nëse hesht nuk do të ekzistojë si sindikatë”, tha Jasharaj.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës bën të ditur se janë duke përcjellë edhe pakot fiskale, në ngritjen e TVSH-së të ministrit të Financave Avdullah Hoti, dhe se do të reagojnë në rast se këto godasin shportën familjare të mësimdhënësve.

SBASHK-u kërcënon me grevë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me situatën në arsim, duke thënë se edhe ky vit i ri shkollor po fillon pa kontrata individuale, kolektive të mësimdhënësve, pa sigurimin e 70 përqindëshit të udhëtimit për mësimdhënësit, si dhe pa tri paga e para të pensionistëve.

Ai ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, një takim në të cilin do të ketë dialog lidhur me kërkesat e tyre. Sipas tij, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, atëherë SBASHK do të marrë masa të shtrënguara, duke mos përjashtuar edhe greva.

Jasharaj ka kërkuar nga ministri i Punës, Arban Abrashi, që të definohet çështja e mësimdhënësve të viteve 90 dhe 99.

​SBASHK me veprime sindikale në tetor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës SBASHK sot do të mbajë një konferencë për media, në të cilën do të shpalosë veprimet e veta “nëse përfaqësues të qeverive lokale e qendrore nuk i qasen seriozisht ftesës për dialog”, thuhet në ftesën për konferencë.

Në takimin me mediat SBASHK do të bëjë edhe vlerësimin për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa do të prezantohet edhe raporti i shkurtër për analizën e realizimit të Planit strategjik për vitin 2015.

Do të flitet edhe për tema tjera me interes për punëtorët e arsimit, kulturës dhe shkencës në vend.

Konferenca do të mbahet në Qendrën e studentëve , te selia e SBASHK-ut, me fillim në orën 11:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat