Vlora Dumoshi: Ka perënduar koha e kërcënimeve “në emër të popullit”

Kosova

Vlora Dumoshi: Ka perënduar koha e kërcënimeve “në emër të popullit”

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 17:53

Shefja e stafit në Kryeministri Isa Mustafa, Vlora Dumoshi, ka reaguar kundër kërcënimeve “në emër të popullit”, që kanë mbushur adresat elektronike dhe llogaritë personale të zyrtarëve të Qeverisë.

Në një shkrim të plasuar në rrjetet sociale, Dumoshi shpreh bindjen se kërcënimet dhe aksionet e dhunshme që po ndodhin këto ditë në Kosovë, përbëjnë kapitullin e fundit të një ideologjie që ka perënduar kohë më parë në Kosovë.

“Kërcënimet e orkestruara me vrasje familjarësh, djegie njerëzish, varje publike e pushkatime ‘në emër të popullit’, kanë vërshuar adresat elektronike dhe llogaritë personale në rrjetet sociale të përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve në institucionet e Kosovës, nga militantët e vetëdeklaruar të një subjekti politik.

Si nënë, si qytetare, si zyrtare në institucionet e shtetit tim, ndjej shqetësim, neveri dhe brengosje, jo për fatin tim personal, por për potencialin e tmerrshëm desktruktiv që subjekte politike po e mbjellin dhe po e kultivojnë te aktivistët e tyre.

Kërcënimet e llahtarshme, të shoqëruara edhe me aksione të dhunshme të kohëpaskohshme që po ndodhin këto ditë në Kosovë, jam thellësisht e bindur se përbëjnë kapitullin e fundit të një ideologjie që ka perënduar kohë më parë në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës, me vullnetin dhe besimin e palëkundur në vlerat perëndimore të lirisë dhe të demokracisë, me pro-amerikanizmin dhe orientimin e tyre të palëkundshëm evropian, nuk do të tolerojnë atavizma të tilla dhe kthim prapa”, shkruan Vlora Dumoshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat