Jahjaga: Zbardhja e fatit të pagjeturve prioritet i institucioneve të Kosovës

Kosova

Jahjaga: Zbardhja e fatit të pagjeturve prioritet i institucioneve të Kosovës

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 15:42

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se në këtë kujtojmë qytetarët tanë, mbi 1, 600 prej tyre, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur edhe 16 vjet pas luftës, që la plagë të rënda.

Jahjaga tha më tej se luftërat në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë rrënuar jetë njerëzish dhe kanë lënë të hapura plagët në shoqëri që vazhdojnë të mbajnë peng paqen dhe mirëkuptimin mes njerëzve dhe pengojnë pajtimin.

“Shumë familje në Kosovë sot vazhdojnë të kërkojnë më të dashurit e tyre, dhe për të lehtësuar dhimbjen dhe mbi të gjitha për të gjetur qetësinë shpirtërore kërkojnë me të drejtë më shumë punë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”, tha presidentja.

Për aq sa ka qenë e mundur, ajo tha se institucionet e Kosovës janë përpjekur në gjetjen e zgjidhjes për këtë çështje sa të dhimbshme dhe të rëndësishme dhe njëkohësisht kanë kërkuar angazhim më të madh të të gjitha palëve në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Kjo është plaga më e thellë dhe njëra prej dhembjeve më të mëdha që vazhdon të rëndojë mbi secilin qytetar të Kosovës dhe është obligim yni që ta përmbyllim sa më shpejtë atë për të mundësuar një jetë të qetë për familjaret, njëkohësisht për të krijuar mirëbesimin mes qytetarëve tanë dhe për të ndërtuar paqen e qëndrueshme me fqinjët”, u shpreh e para e vendit.

Ajo tha se na duhet më shumë përkushtim dhe më shumë punë e angazhim, i te gjitha palëve të përfshira në zgjidhjen e kësaj çështjeje, për të sjellë drejtësinë për viktimat dhe për të mundësuar pajtimin aq shume te nevojshëm për gjithë rajonin.

“Zbardhja e fatit të të zhdukurve është prioritet i punës së institucioneve të Kosovës të cilat kërkojnë me këmbëngulje angazhimin me përgjegjësi te Republikës së Serbisë, në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe kthimin e të gjithëve në Kosovë”, tha në fund të fjalës së saj presidentja Jahjaga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat