​Studentët provojnë nesër afatin e dytë, UP me dy programe të reja

Kosova

​Studentët provojnë nesër afatin e dytë, UP me dy programe të reja

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 09:56

Të gjithë ata të cilët në afatin e parë nuk janë pranuar në fakultet dhe ata të cilët nuk kanë mundur të konkurrojnë për shkak se nuk e kanë kaluar testin e parë të maturës, që nga e hëna me 31 gusht e deri më 14 shtatorë do të kenë mundësi të konkurrojnë në konkursin plotësues në nivelin Bachelor.

Kësaj radhe, aplikantët do të kenë risi edhe dy programe që nuk kanë qenë në afatin e parë, por janë akredituar tash vonë. Bëhet fjalë për një program në Fakultetin e Ekonomisë “Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment” që do të jepet në gjuhën angleze, ku do të pranohen 50 student dhe programi “Ballkanistika” në Fakultetin e Filologjisë.

Në këtë afat plotësues do të pranohen gjithsej 2296 student, prej të cilëve do të jenë vetëm 70 me korrespodencë.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, prorektorja, Eda Vula, e cila bënë të ditur se pothuajse në të gjitha njësitë akademike ka vende të lira.

Vula: Në të gjitha njësit akademike ka vende të lira, por jo edhe në të gjitha programet

“Konkursi plotësues do të hapet me 31 gusht dhe do të jetë i hapur deri me datën 14 shtatorë në ora 16. Në këtà « afat do të pranojmë 2296 student, prej të cilëve 2226 të rregullt dhe 70 student me korrespodencë. Këto janë të gjitha ato vende të lira që nuk janë plotësuar në afatin e parë. Pothuajse në të gjitha njësitë akademike ka vende, jo në të gjitha programet, ka disa programe që tashmë janë plotësuar vendet në afatin e parë, por megjithatë të gjithë ata që janë të interesuar mund të shohin konkursin dhe të aplikojnë në programet përkatëse”, tha Vula.

E për ato programe që nuk janë përmbushur në afatin e parë, Vula thotë se ata presin që të plotësohen në këtë afat. Ajo bëri të ditur se në cilat fakultete ka më shumë vende të lira.

Vula: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka më së shumti vende të lira

“Ka pasur kërkesa, në disa fakultete kanë aplikuar një numër më i madh, në disa një numër më i vogël. Në fakulteti n e Edukimit ku ka pasur për shembull një numër të madh të studentëve, janë plotësuar numri në të gjitha programet, ka mbetur vetëm një program që është programi 0-3 vjeçar dhe në këtë program janë gjithsej vetëm 50 vende të lira. Në fakultetin e Ekonomisë ka 435 vende të lira, të shpërndara nëpër të gjitha programet. Ka vende të lira më shumë në Fakultetet Teknike, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, janë 208 vende të lira, po ashtu edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në Fakultetin e Veterinarisë dhe Bujqësisë. Këtu është numri më i madh që nuk është plotësuar në afatin e parë”, tha Vula.

Arsyeja kryesore që në këtë vit në afatin plotësues ka më shumë vende të lira është rritja e kriterit të kalueshmërisë prej 30 në 40 %.

E sa i përket asaj që në këtë vit ky konkurs po shpallet më herët në krahasim me vitet e kaluara, Vula tha se një planifikim i tillë është bërë me qëllim që të mund të fillojë mësimi me 1 tetor edhe në nivelin Bachelor dhe në atë Master.

Vula: Dëshirojmë që me 1 tetor të filloj mësimi në të dyja nivelet

“Dëshirojmë dhe planifikimet janë bërë që të fillojmë dhe të përfundojmë edhe me konkursin e nivelit master në muajin shtatorë. Kemi pasur vërejtje të vazhdueshme që mësimi në të dy nivelet nuk po fillon me 1 tetor, nuk po respektohet neni 139 i Statutit të Universitetit të Prishtinës, prandaj ne jemi zotuar që kësaj radhe të fillojmë me kohë përgatitjet, planifikimet, konkurset që me 30 shtator të jenë të regjistruar të gjithë studentët si në nivelin Bachelor, po ashtu edhe në nivelin Master”, u shpreh ajo.

E rezultatet preliminare do të shpallen me 16, kurse rezultatet përfundimtare do të shpallen me 21 shatorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat