Çerkini: Vendorët punojnë pak në zbardhjen e të pagjeturve

Kosova

Çerkini: Vendorët punojnë pak në zbardhjen e të pagjeturve

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 11:27

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, përfaqësuesit e Shoqatës të të pagjeturve në Mitrovicë, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurorë me lule të shtunën në ‘Shtëpinë Muze’ në Lagjen e Boshnjakëve në veri të këtij qyteti, ku 16 vjet më parë forcat kriminale serbe vranë e masakruan 23 civilë të pafajshëm.

Bajram Çerkini, kryetar i Këshillit koordinues të shoqatave për persona të pagjetur, duke shprehur dhembjen e përgjithshme për të pagjeturit, sidomos të veriut të vendit, tha se është i pakënaqur me punën e deritashme që është bërë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Ai fajin e ka hedhur tek institucionet vendore për neglizhencë dhe mos trysni të mjaftueshme tek faktori ndërkombëtar.

Çerkini: Nuk jemi të kënaqur me zbardhjen e të pagjeturve, fajtorë vendorët

“Në saje të 30 gushtit edhe Mitrovica shënon dhembjen e përgjithshme, por sidomos të kësaj pjese këtu ku ka qenë vërtetë një masakër shumë e madhe, një trishtim shumë i madh dhe krim ndaj njerëzve të pambrojtur, dhe pikërisht në këtë shtëpi ka pasur edhe dhunime në prezencë të nënave, baballarëve …Gjithsej janë 23 veta të masakruar, prej të cilëve nëntë akoma nuk janë gjetur… nuk jemi të kënaqur për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, sidomos në Mitrovicë, kur dihen tetë lokacione që janë të këtij rrethi dhe larg meje janë 200 metra…si shumicë fajtorë jemi ne vendorët, në dorën e ndërkombëtarëve është kjo pjesë, mirëpo ndërkombëtarët duhet t’i shtyjë dikush, kush duhet t’i shtyjë, vendorët”, ka thënë mes tjerash Çerkini.

Kjo ditë është duke u shënuar me aktivitet të ndryshme edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat