Ymeri e fton Mustafën në debat publik për “Zajdenicën”

Kosova

Ymeri e fton Mustafën në debat publik për “Zajdenicën”

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 10:53

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka akuzuar kryeministrin Mustafa se nuk po e thotë të vërtetën e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ymeri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kryeministri, “në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente”.

Lexojeni të plotë postimin e Ymerit në Facebook:

"Në emisionin e mbrëmshëm në RTK Isa Mustafa për asnjë moment nuk e foli të vërtetën për Marrëveshjen. Herë thoshte se Zajednica nuk ka kompetenca ekzekutive, e pastaj thoshte se edhe ashtu komunat me shumicë serbe kanë pasur më shumë kompetenca se sa komunat tjera. Që i bie se e drejta për t’i përbashkuar këto kompetenca në një instancë më të lartë se niveli lokal, e më të ulët se ai qendror, e bën Zajednicën pushtet të tretë, autonom, në dëm të Kosovës dhe kundër Republikës.

Thoshte se marrëveshja është kompromis, dhe pastaj kthehej e thoshte se është në përputhje të plotë me Kushtetutën, që i bie që Marrëveshja na qenka një detajizim juridik i zbatimit të të drejtave të caktuara tashmë të garantuara me të. Pse paska nevojë për një Marrëveshje kompromisi për ta zbatuar Kushtetutën? Nëse është kështu që komunat me shumicë serbe e paskan pranuar zbatimin e Kushtetutës së Republikës!, dhe se Serbia e paska pranuar në mënyrë indirekte Republikën e Kosovës!, atëherë këtu nuk kemi kompromis, por fitore bindëse të Republikës së Kosovës.

Në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente. Prandaj e ftojë në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo. Mediumin dhe gazetarin le ta zgjedh ai se kështu është mësuar" (sic.), ka shkruar Ymeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat