Ligji i rrezikshëm i Isa Mustafës dhe Hykmete Bajramit

Kosova

Ligji i rrezikshëm i Isa Mustafës dhe Hykmete Bajramit

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 20:12

Qeveria po bën një hap të rrezikshëm përpara. Synon miratimin e një ligji që eliminon konkurrencën dhe lejon shpronësimin e dhunshëm të pronës private për interesa biznesore. Është promovuar si ligj për nxitjen e investimeve të huaja, por në fakt ai parasheh favore për bizneset lokale.

Kao Lake, një fshat bregdetar në Tajlandë ishte goditur nga Cunami në dhjetorin e vitit 2004. Historia e këtij fshati është treguar në mini-serialin e bashkëprodhuar nga BBC dhe HBO në vitin 2006. Ishte titulluar “Tsunami, The Aftermath” (Pasojat e Cunamit).

Fshati ishte bërë rrafsh me tokë dhe mijëra njerëz kishin vdekur. Por edhe ata që kishin mbijetuar nuk konsiderohen me fat për shkak të zhvillimeve që ndodhën pas cunamit.

Në film paraqitet një i ri që përpiqej të jetonte në pronën e tij pas katastrofës. Mundohet të rregullojë një strehë. Por nuk mund ta realizojë qëllimin e tij.

Kur gjendja faktike kishte ndryshuar dhe fshati ishte rrafshuar, kishte dalë në skenë një korporatë private. Zinxhiri i njohur i hoteleve, siç paraqitet në film, kishte nisur që në tërë zonën e dëmtuar përreth bregdetit ta shtrinte aktivitetin biznesor.

Për këtë kishte përkrahjen e shtetit dhe bagerët e kësaj kompanie rrënuan kasollen e të mbijetuarit pasi që fillimisht punonjësit e kësaj kompanie e rrahën atë.

Një histori e tillë mund të ndodh në Kosovë. Jo pjesa me cunamin por ajo me largimin e një qytetari të zakonshëm nga prona e tij.

Qeveria e Kosovës ka lëvizur në këtë drejtim. Ka hartuar projektligjin për investime strategjike me synimin që të nxiten investimet e huaja. Do ta dërgojë së shpejti për miratim në parlament. Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar projektligjin. Përmbajtja e tij është frikësuese.

Dokumenti parasheh që prona private të shpronësohet dhunshëm nëse ajo i nevojitet një afaristi për të realizuar biznesin e tij.

Prekja e pronës private

Është neni 18 i këtij projektligji që përbën rrezikun më të madh. Ai përcakton se lejohet shpronësimi edhe në rastet kur “investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin e pasurisë së paluajtshme”.

Shpronësimi i dhunshëm i pasurisë private lejohet dhe është i logjikshëm vetëm kur bëhet fjalë për kryerjen e investimeve publike si rrugët, ujësjellësit, kanalizimet etj.

Por Qeveria me këtë ligj parasheh të dalë kundër logjikës. T’i shpronësojë dhunshëm pronat private për interesa të zhvillimit të një biznesi privat.

Shpronësimi, sipas këtij ligji në ardhje, nuk do të lejohet vetëm në rast se pasuria i përket një investitori strategjik.

Kjo i bie që një biznesmen nuk mund të synojë pëvetësim të pronave që i përkasin njerëzve të pasur sikurse ai. Nuk do ta lejojë ligji. Por nëse dëshiron ta përvetësojë pronën e një qytetari të zakonshëm atëherë ka edhe ndihmën e shtetit.

Dhe kompensimi për shpronësimin bëhet bazuar në çmimin e shitjes së pronave që ka bërë Agjencia Kosovare e Privatizimit, një institucion i kritikuar për shitje me çmime shumë të lira.

Por ky nuk është problemi i vetëm i projektligjit.

Rreziku vjen nga mungesa e konkurrencës

Njoftimin se Qeveria po lëviz seriozisht drejt hartimit të këtij ligji e dha kryeministri Isa Mustafa i shoqëruar nga Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë e Industrisë, më 6 gusht të këtij viti.

Ai pohoi se ligji përcakton mënyrën se si do të nxisë investitorët e jashtëm që të vijnë në Kosovë. Deri më tash Kosova ka pasur trend të rënies në nxitjen e investimeve të huaja.

Por projektligji i sponzoruar nga Ministria për Tregti e Industri i parasheh si investitorë strategjikë edhe bizneset vendore.

Dhe për më tepër projektligji nuk do të parashohë procedura konkurruese për të dhënë prona shoqërore.

Është përjashtuar Ligji i Prokurimit.

Do të ketë aplikim të biznesit në Komisionin për Investime Strategjike. Procedura e vlerësimit nuk është e hapur.

Kjo mundëson që biznese të lidhura me politikën dhe të ngritura në mënyrë të dyshimtë të fitojnë fshehurazi prona shoqërore.

Biznese të tilla kanë përfituar edhe kur është aplikuar Ligji i Prokurimit.

Por tash rruga deri te përfitimi është më e shkurtër. Janë eliminuar kokëçarjet që shkaktojnë procedurat konkurruese.

Këtë dokument qeveritar e bën edhe më skandaloz deklarimi i Abdullah Hotit, Ministër i Financave, më 21 korrik të këtij viti kur projektligji ishte në hartim e sipër.

Hoti kishte deklaruar për media se ky ligj është i domosdoshëm për Kosovën e varfër dhe se është i vetëdijshëm që i njëjti mund të mos jetë në përputhje me kërkesat e BE-së.

Nëse kërkesat e BE-së mund të shpërfillen atëherë është i palogjikshëm vazhdimi i funksionimit të Ministrisë së Integrimit Evropian.

Lehtësia për t’u bërë ‘investitor strategjik’

Qeveria ka paraparë që të realizohen investime strategjike në sektorin energjetik, minerar, ndërtim termocentralesh, bujqësi, industri ushqimore, turizëm, arsim, teknologji, kulturë, sport, shkencë e arsim e kujdes shëndetësor.

Investimet strategjike do të kategorizohen në A dhe B.

Vlera e investimit që kategorizohet në A varion nga 30 milionë deri në 500 milionë euro, varësisht prej sektorit.
Edhe numri i të punësuarve në këtë kategori është më i madh duke nisur nga 200 deri në 700 të punësuar.

Ndërsa në kategorinë B një biznes mund të emërtohet si Investitor Strategjik nëse investon 30 milionë euro në energji, miniera apo 10 milionë euro në turizëm.

Ndërsa në bujqësi e industri ushqimore këtë epitet mund ta marrin edhe bizneset që investojnë një shumë prej vetëm 4 milionë euro dhe hapin vetëm 40 vendeve të punës.

Ky prag i ulët për t’u bërë investitorë strategjik dhe mundësia që këtë epitet ta marrin edhe bizneset në Kosovë është e meta e këtij projektligji.

Kjo përmbajtje e projektligjit më shumë se sa nxitje të investimeve të huaja do të mundësojë përfitime për biznese të lidhura me pushtetin. /Gazeta JNK/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat