Masakra e Izbicës, përkujtimi më i rëndë

Kosova

Masakra e Izbicës, përkujtimi më i rëndë

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 18:03

Ditën e 28 marsit të 99’ës në fshatin Izbicë të Skenderajt, forcat paramilitare serbe, masakruan rreth 130 civilë. Të rinjë e të moshuar. Nuk kursyen as ata me nevoja të veçanta. Madje, tre nga kufomat edhe i dogjën. Dy ditë më vonë, familjarët nisën të identifikojnë kufomat dhe t’i varrosin të gjithë, aty në fshat. Por, serbët nuk u mjaftuan nga vrasja. Më 28 maj të po këtij viti, ata i zhvarrosën kufomat dhe i zhdukën në mënyrën më barbare. Të gjithë u vranë për një ditë, u varrosën e pastaj u zhvarrosën së bashku,por jo të gjithë po pushojnë të qetë në varrezat e fshatit Izbicë. Janë edhe 19 persona që u masakruan atë ditë, e fati i të cilëve ende nuk dihet.

Demush Behrami ishte njëri nga viktimat e 28 marsit, që pastaj u zhvarros e u dërgua diku nëpër fshatra tjera.

Familja ia gjeti eshnat në vitin 2005. Tani e kanë varrin mbi të cilin mund të vendosin lule për të.

“Me 28 maj kanë filluar përsëri granatimet dhe kanë hy forcat serbe dhe e kanë bërë zhvarrimin e të gjitha kufomave që kanë qenë në këtë masakër këtu. I kanë marrë edhe gjësendet edhe ato dërrasat që i kanë pasë, me emra e krejt, edhe kufomat i kanë ngarkuar nëpër friza e kamionë dhe i kanë dërguar në drejtime të panjohura”, tregon Ganiu, djali i Demush Behramit.

Nga masakra e Izbicës patën fatin të shpëtojnë 14 persona. Ditën e 28 marsit, një herë u ndanë burrat nga familjet e tyre, pastaj u vranë e u masakruan. M adje, tre kufoma edhe dogjën.

Pas dy muajsh kur familjarët varrosën më të dashurit e tyre, forcat serbe i zhvendosën në drejtime të panjohura. E vendin e varrezave e patën bërë rrafsh, sikur mos të kishte pas asgjë aty. Në masakrën e Izbicës u vranë rreth 150 persona.

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, së bashku me organizatat e familjeve te të zhdukurve, bënë sot homazhe tek kompleksi i varrezave në Izbicë.

Kryetari Prenk Gjetaj tha se për nderë të ditës ndërkombëtare për persona të zhdukur, 30 gushtit, kanë zgjedhur të bëjnë homazhe tek vendet ku kanë ndodhur masakrat më të mëdha.

“Në mesin e atyre masakrave bënë pjesë edhe Izbica me mbi 150 persona të viktimizuar, gjegjësisht të martirizuar, vetëm që e kanë pas një emër, që kanë qenë shqiptarë. Të gjithë, pa ndo një kriter të përzgjedhjes, të gjithë civil të pa –mbrojtur janë masakruar këtu”, tha ai.

Edhe përfaqësuesi i familjarëve, Bajram Qerkinaj nderoi të rënët në masakrën e Izbicës, masakër këtë qe e quajti të pa-harrueshme.

“Kemi ardhë në një vend shumë të prekshëm, në një vend ku ka qenë një masakër shumë e madhe, ku kanë lënë nënat pa djem, bile edhe beben e posalindur. Kemi ardhë në një vend me përkujtime të rënda, për 30 gushtin, i cili të gjithëve na prek”, tha ai.

Feriz Rexhepi, zyrtar për çështjen e të zhdukurve në komunën e Skënderajt, tregoi se në këtë komunë ende nuk dihet për fatin e 122 personave.

“Në komunën tonë kemi pas 509 persona të zhdukur, deri tani kanë mbetë edhe 122 persona të pa-identifikuar. Mbesim me shpresë që edhe fati i tyre do të ndriçohet”, tha ai.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 1600 persona, të vrarë e të zhdukur pastaj nga forcat serbe, fati i të cilëve nuk dihet që nga lufta e fundit e në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat