Policia dyshon se Vetëvendosje ka qëllim krijimin e trazirave (Video)

Kosova

Policia dyshon se Vetëvendosje ka qëllim krijimin e trazirave (Video)

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 17:19

Djegia e veturave zyrtare dhe objekteve qeveritare është qëllimi që institucionet e sigurisë në vend po dyshojnë se e ka Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Si rezultat i kësaj, burime të RTV Dukagjinit kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës ka shtuar jashtëzakonisht masat e sigurisë në vend, saktësisht në Prishtinë. Dyshimet thuhet të kenë ardhur pas deklaratave publike të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të kursejnë asgjë për të ndaluar jetësimin e bashkësisë së komunave serbe.

Policë civil kanë shtuar prezencën e tyre në kryeqytet posaqërisht afër objektit të këtij subjekti politik dhe po e përcjellin lëvizjen e aktivistëve. Policia ka udhëzuar zyrtarët e shtetit asnjë veturë zyrtare mos shfrytëzohet pas orarit të punës dhe se ato të qëndrojnë në parkingjet e secilit institucion i përkasin dhe jo në parkingje private.

Krejt kjo pasi që policia posedon informacione se secila veturë zyrtare që gjendet para ndonjë parkingu të banesave apo shtëpive, mund të digjet nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zëdhënësi i VV-së Frashër Krasniqi ka thënë se Qeveria Mustafa nëpërmjet policisë po e provokon dhunën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat