Çollaku: Jemi në pritje të sinjalit për MSA

Kosova

Çollaku: Jemi në pritje të sinjalit për MSA

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 15:30

Kosova është në pritje të sinjalit për nënshkrimin e MSA, pasi sipas zyrtarëve nuk ka asnjë arsye për zvarritjen e këtij procesi.

Ministri i integrimit Evropian, Bekim Çollaku theksoi se presin nga BE-ja që t’i zbatojë zotimet e veta politike ndaj Kosovës. Edhe njohës të integrimeve evropiane thonë se pas marrëveshjeve të fundit të nënshkruara në Bruksel nuk ka asnjë arsye formale- juridike as politike që për Kosovën të ketë pengesa dhe ngecje në përmbushjen e agjendës evropiane.

Marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë konsiderohen si i kanë hapur rrugën të dy vendeve në përmbushjen e agjendës evropiane. Edhe pse për Kosovën ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që kjo të fillohet me nënshkrimin e MSA. Këtë e thotë për Radio Kosovën Ministri i integrimit evropian, Bekim Çollaku.

“Jemi gati që nga vera e vitit të kaluar kur kemi vendosur inicialet, mirëpo po presim që Këshilli i BE-së ta bëjë një gjë të tillë sa më parë . Nuk ka asnjë lloj arsye për ta zvarritur këtë çështje edhe më tutje, kështu që presim që BE-ja t’i zbatojë në praktikë zotimet e veta politike karshi Kosovës”, tha Çollaku.

Edhe njohësi i integrimit evropian Emrush Ujkani vlerëson se Kosova ka bërë hap të rëndësishëm me nënshkrimin e marrëveshjeve dhe aktualisht nuk ka arsye për ngecje në këtë proces, ani pse vendet e rajoni janë një hapa para nesh.

“Prandaj unë pres se gjatë muajve në vijim Kosova të përfitojë natyrisht aq sa është e mundur, për arsye se nuk mund të pretendohet se sa mund të përfitojë Serbia apo vendet e tjera për arsye se ato janë në një proces me të avancuar”, shprehet Çollaku. Megjithatë ai ka parasysh faktin e nënshkrimi të marrëveshjes së stabilizim asociimit, fillimin e zbatimit të saj gjatë vitit 2016. “Po ashtu shpresoj në ecjen përpara të agjendës evropiane në mënyrë më të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave që mendoj se do të ishte një diçka që Kosova përfundimisht e meriton dhe duhet ta marr atë”, ka thënë ai.

Ujkani madje nuk e sheh të arsyeshme as zvarritjen e nënshkrimit të MSA, pasi në aspektin juridik e politik janë plotësuar kushtet.

“Zvarritja e MSA dhe shumë proceseve tjera mendoj se kanë qenë peng e një diçkaje që thënë ndryshe janë kushtëzuar me krijimin e Gjykatës speciale, si dhe BE –ja ka kushtëzuar me vetë përparimin e dialogut me Serbinë. Kështu që mendoj se këto ndoshta kanë qenë edhe pengesat kryesore apo kushtëzimet që BE-ja i ka vendosur Kosovës dhe që është dashur të punohet “, shprehet Ujkani. Sipas tij, pas këtyre gjërat do të ecin shumë më shpejtë por natyrisht që kërkohet edhe përkushtim nga institucionet tona, por në aspektin formal juridik edhe në aspektin politik nuk besoj se do të ketë më pengesa.

Ndryshe, Serbisë në Samitin e Vjenës, iu premtua fillimi i negociatave për anëtarësim të plotë në BE, falë marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat