Kriza me migrantë: Kosova, pjesë e zgjidhjes, jo e problemit

Kosova

Kriza me migrantë: Kosova, pjesë e zgjidhjes, jo e problemit

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 10:42

Kosova duhet të konsiderohet si pjesë e zgjidhjes së krizës me migrantë, që ka përfshirë Evropën, dhe jo pjesë e problemit, ka thënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke u përballur me sfida të mëdha në trajtimin e mijëra migrantëve që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika, në përpjekje për të arritur Evropën.

Në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, Thaçi ka thënë se Evropa duhet të ndërmarrë qasje të bashkuar dhe se Kosova do të ndihmojë.

Por, ai ka paralajmëruar se Evropa është në rrezik të humbë zemrën e saj ndaj migrantëve.

“Gjatë luftërave në Ballkan, Evropa ka qenë fener i të drejtave të njeriut, të cilin të gjithë e kemi ëndërruar. Por, tani ka mjegull rreth këtij feneri dhe ne duhet ta pastrojmë atë”, ka thënë Thaçi.

Komentet vijnë në kohën kur Hungaria është duke ndërtuar një gardh me tela në kufi me Serbinë, për të ndaluar fluksin e migrantëve.

Kosova ka vuajtur krizën e saj këtë vit, kur në muajt janar dhe shkurt mijëra njerëz janë larguar brenda disa javësh.

Thaçi ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të “thashethemeve të rreme” se Gjermania jep leje qëndrimi.

Thaçi ka theksuar për gazetën “The Telegraph” se numri i azilkërkuesve kosovarë në Gjermani ka rënë nga 13,000 në muajin mars, në 800 në korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat