Veseli përgëzon për marrëveshjet, pret informim zyrtar

Kosova

Veseli përgëzon për marrëveshjet, pret informim zyrtar

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 08:40

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve në Bruksel.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një deklarate ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve në Bruksel dhe ka shfaqur kërkesën që legjislativi të ketë informata të plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjen e tyre.

Në deklaratë ai thekson:

Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes procedurave demokratike, ka marrë vendime që mbështesin platformën e dialogut të Kosovës me Serbinë për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.
Lidhur me marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, ne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe në Zyrën e kryetarit të Kuvendit, presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve.

Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, e cila ka gjithë autoritetin legjitim për të përfaqësuar Kosovën dhe për të marrë vendime për Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë, është në nivelin e duhur të pjekurisë politike dhe përgjegjësive të saj që i dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Është në interesin e vendit, që secila marrëveshje e arritur, në procesin e zbatimit, të hapë perspektivë të sigurt për zhvillimin e vendit, përparim në rrugën e integrimeve evropiane, të ndikoj në konsolidimin e shtetit të Kosovës, e asesi në bllokimin e tij. Besojmë se këtë kanë pasur parasysh edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që i kanë mbështetur dialogun dhe marrëveshjet.

Debati publik dhe politik që kanë nxitur këto marrëveshje, si dhe liria e interpretimit të tyre, është një e drejtë demokratike e patjetërsueshme e qytetarëve dhe partive politike, por akuzat, fyerjet dhe etiketimet demagogjike nuk i ndihmojnë qartësimit të publikut mbi përmbajtjet e marrëveshjeve, ashtu sikurse nuk i ndihmojnë perspektivës së vendit thirrjet në skenarë të përdorimit të dhunës, përfundon deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat