Haradinaj: Asociacioni në konflikt me kushtetutën e Kosovës

Kosova

Haradinaj: Asociacioni në konflikt me kushtetutën e Kosovës

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 17:34

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha sot gjatë vizitës në Ferizaj se vendimi për Asociacionin e Komunave Serbe është një kthim prapa dhe bie në konflikt me nenin e parë të Kushtetutës, në të cilin thuhet se Republika e Kosovës është një shtet unik, ndërsa në këtë rast është kthyer në shtet të përbërë.

"Është gabim krijimi i këtij asociacioni, jemi kundër dhe e kemi deklaruar këtë. Ne kemi formuar një grup punues me ekspertë për t'i identifikuar saktë të gjitha daljet nga baza kushtetuese, nga baza ligjore ose rreziqet që në vijnë nga një marrëveshje e këtillë. Ne nuk ishim kundër një asociacioni, sepse edhe Kushtetuta jonë e parasheh, por kundër një vendimi që e kthen Kosovën prapa dhe krijon kaq komplikim në funksionim të shtetit", tha lideri i AAK-së.

I pyetur se a e dallon këtë asociacion me Asociacionin e Komunave të Kosovës, Haradinaj tha se dallimet janë të mëdha, për shkak se kjo, siç ka thënë, është më shumë se Ahtisari, më shumë se Kushtetuta, më shumë se ligjet tona, prandaj është një kthim prapa.

"Del nga Pakoja dhe të gjitha vendimet paraprake. Është një zhvillim i ri, pra një kthim prapa duke e kthyer Kosovën në periudha të vështira", tha Haradinaj.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, lideri i AAK-së tha se ajo marrëveshje nuk mund të zbatohet, është një gabim dhe duke qenë e tillë nuk e njeh një marrëveshje të tillë.

Këto komente Haradinaj i bëri në ceremoninë e aderimit të një numri studentësh ferizajas në radhët e partisë që drejton, të cilëve në mënyrë solemne u ka shpërndarë librezat e AAK-së. Duke iu drejtuar të rinjve, Haradinaj tha se vendimet për të ardhmen e vendit varen kryesisht nga zgjedhësit, ndërsa indiferenca ose të qëndruarit anash është një lloj komoditeti, prandaj i ka përgëzuar studentët për vendimin që kanë marrë për t'iu bashkuar AAK-së.

"Unë besoj se ju keni bërë më mirë se të rinjtë tjerë që rrinë indiferentë, ndërsa ju në AAK vendosni vetë se si do të vendoset për rininë e Ferizajt e të Kosovës dhe në të njëjtën kohë keni ditur të jeni dhe me këtë të bëheni vendimmarrës", tha Haradinaj, ndërsa ka ripërsëritur se AAK-ja është e gatshme që në etapa që vijnë t'i marrë përgjegjësitë.

AAK, tha ai, ka vërejtje në mënyrën se si po vendoset për Kosovën, në proceset që po rrjedhin.

"Dëshirojmë t'i bëjmë këto procese më të mira, gjithsesi me kyçjen e secilit prej nesh", tha Haradinaj.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajti edhe Mexhid Ramusa, në emër të grupit të studentëve, duke thënë se AAK-ja dallon shumë nga subjektet tjera politike, për mundësinë që u jep të tjerëve duke qenë parti e hapur për gjithë ata që përqafojnë programin e saj politik.

Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Ferizaj ka vizituar edhe bashkësitë fetare të Ferizajt. Në selinë e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizajt, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e saj dhe krerët fetarë.

Duke folur për bashkëpunimin e ndërsjellë, Haradinaj tha se në programin qeverisës parasheh avancimin e statusit të bashkësive fetare dhe se zhvillimin e këtyre bashkësive e sheh të pashkëputur nga zhvillimi i Kosovës.

"Ne po synojmë BE-në dhe atje duhet të shkojmë unikë në gjitha sferat dhe pa probleme. BIK bëhet pengesë ta zëmë nëse shkon në kahun tjetër të zhvillimit të Kosovës, prandaj ne nuk jemi për krijimin e pengesave", tha Haradinaj.

Me krerët fetarë lideri i AAK-së ka thënë se edhe çështje tjera që janë ngrehur së fundi nga ta duhet të debatohet dhe të gjenden zgjidhjet më të mira.

Në agjendë të liderit të AAK-së kanë qenë vizitat dhe takimet me familje ferizajase dhe banorë të zonave rurale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat