Mustafa në Vjenë lavdëron Marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi

Kosova

Mustafa në Vjenë lavdëron Marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 17:03

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në sesionet e zhvilluara të enjten në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015 në Vjenë, ku ishin të pranishëm edhe kancelarja Merkel, kancelari Faymann, komisionerja Mogherini dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të shteteve dhe mekanizmave të BE-së e të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Në sesionet e këtij samiti, ku u trajtuan tema që lidhen me situatën ekonomike, proceset e reformave, rininë, edukimin, energjinë, transportin, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar progresin në Kosovë si dhe projektet konkrete të Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Mustafa ka qenë pjesë e panelit së bashku me kancelaren Merkel, dhe kryeministrat Rama, Milanoviq, Cerar dhe Vuciq.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, kryeministri Isa Mustafa ka takuar përfaqësues të shumë vendeve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Gjatë këtyre takimeve, kryeministri Mustafa ka prezantuar si dhe ka kërkuar mbështetje për finalizimin e shumë projekteve konkrete në Kosovë, në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, projekte në energjetikë, lehtësim të qarkullimit të mallrave dhe njerëzve me vendet fqinjë si dhe në fusha të tjera të ekonomisë, njofton kumtesa nga Kryeministria .

Në fjalën e tij, kryeministri Isa Mustafa ndër të tjera theksoi se në fushën e ekonomisë Kosova po bën përpjekje maksimale që të bëjë reformat e domosdoshme strukturore dhe reformat e tjera, të cilat hapin perspektivë per jetën e qytetarëve dhe veçmas për të rinjtë. Duke përmendur bashkëpunimin me FMN-në, BERZH-in dhe me Bankën Evropiane për Investime për projekte konkrete, kryeministri Isa Mustafa theksoi se pret një përkrahje edhe më të madhe dhe konkrete të Bashkimit Evropian, duke iu referuar edhe përkushtimit të Kosovës në përmbushjen e kërkesave të komunitetit ndërkombëtar në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Mustafa në këtë samit tha: Konsideroj se temat të cilat ne po i trajtojmë këtu e dëshmojnë edhe njëherë rëndësinë e “Procesit të Berlinit” për zgjidhjen e sfidave me të cilat ne ballafaqohemi në Ballkanin Perëndimor, që janë edhe sfida politike edhe sfida ekonomike. Ne po përpiqemi që të jemi mjaft të përkushtuar që të përmbushim zotimet tona ndaj Bashkimit Evropian, dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë që të hapim procesin e integrimit evropian.

Kemi bërë përpjekje maksimale që të relaksojmë dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Me Malin e Zi dje kemi nënshkruar marrëveshjen për shënimin e kufijve, me Serbinë para dy ditësh kemi arritur marrëveshje shumë të rëndësishme në Bruksel, dhe dëshiroj që ta falënderoj edhe Përfaqësuesen e Lartë Mogherini për punën shumë të mirë dhe të përkushtuar të cilën po e bënë.

Para disa kohe kemi vendosur me Kuvendin e Kosovës për themelimin e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale që flet për përkushtimin e Kosovës që të përmbush obligimet e saj ndërkombëtare dhe poashtu që të forcoj sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor.

Në fushën e ekonomisë po bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë reformat e domosdoshme strukturore dhe reformat e tjera, të cilat hapin perspektivë per jetën e qytetarëve dhe veçmas perspektivën për të rinjtë, sepse jemi vend ku kemi pjesën dërmuese të popullatës së re në popullsinë e përgjithshme.

Kemi arritur marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila na i hap mundësitë për investimet ekonomike. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për disa projekte të rëndësishme dhe me Bankën Evropiane për Investime, dhe presim një përkrahje më të madhe dhe konkrete të Bashkimit Evropian, si kundërpërgjigje zotimeve dhe përkushtimit tonë në përmbushjen e kërkesave që shprehen para nesh nga komuniteti ndërkombëtar në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Vlerësojmë se problemi i të rinjve është një prej problemeve kyçe, i cili nuk lidhet vetëm me mënyrën e arsimimit të tyre, apo vetëm me nivelin e përfshirjes së tyre në arsimin e lartë, qoftë publik apo privat. Tani kemi nevojë ta ngritim cilësinë e arsimit, dhe ta përshtatim atë me nevojat e ekonomisë.

Në Kosovë, tani kemi dy probleme më të mëdha, atë të normës akoma të ulët të zhvillimit ekonomik, në krahasim me sfidat e punësimit dhe të papunësisë. Dhe strukturën e papërshtatshme ekonomike, e cila në këtë fazë të tranzicionit të vonuar po shkon shumë ngadalë.

Kemi mbet vendi i vetëm i izoluar në Evropë me regjim të vizave. Të rinjtë tanë nuk mund të lëvizin lirshëm ashtu siç lëvizin të rinjtë e vendeve tjera. Nga kjo lëvizje varet edhe mundësia e tyre që të shkollohen e të studiojnë jashtë vendit. Deri më tani shkuarja e tyre jashtë vendit ka qenë e kufizuar dhe mbi bazën e disa programeve konkrete.

Regjimin e vizave e konsiderojmë si një padrejtësi të madhe që po i bëhet vendit, dhe konsiderojmë se nuk kemi përgjigje adekuate nga Bashkimi Evropian dhe nga demokracia evropiane për të rinjtë tanë dhe për qytetarët e Kosovës. Ashtu siç ne i kemi përmbushur detyrimet tona, të cilat konsiderojmë se i kemi bërë ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj kritereve që ju i keni caktuar për Kosovën, konsideroj se edhe BE-ja duhet ta bëjë punën e vet, që Kosovës t’i hapet mundësia e lëvizjes pa viza.

Ne nuk mund të presim që mund të konkurrojmë me ekonominë evropiane dhe me ekonominë botërore, as me dijen evropiane dhe botërore, në qoftë se bizneset tona kanë nevojë për kritere shtesë karshi bizneseve tjera, sepse asnjë biznesmen dhe biznes i yni nuk mund të qarkulloj lirshëm në tregun evropian përpos një tregu të ngushtë regjional dhe nuk ka kushte të konkurrencës së plotë ashtu siç i kanë bizneset tjera. Këto janë kosto shtesë dhe këto janë kufizimet shtesë fizike që iu bëhen bizneseve tona karshi mundësive që kanë bizneset tjera. Prandaj, ne mund të flasim dhe të deklarojmë në mënyrë teorike për ekonomi të tregut, por këtë ekonomi të tregut nuk mund ta ndërtojmë në Kosovë në qoftë se nuk kemi barazi e cila përfshin edhe barazinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe njerëzve, siç e bëjnë vendet e tjera me të cilat ne konkurrojmë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat