Thaçi për BILD: Vendi ynë është i sigurt, nuk ka nevojë për azil

Kosova

Thaçi për BILD: Vendi ynë është i sigurt, nuk ka nevojë për azil

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 16:55

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi në një Intervistë për të përditshmen më të lexuar në Gjermani “Bild Zeitung” ka theksuar se mbështetja e Gjermanisë dhe kancelares Merkel është përcaktuese për të ardhmen e Ballkanit.

Duke folur për konferencën për Ballkanin Perëndimore që po mbahet në Vjenë, Thaçi ka theksuar për „BILD“ se Gjermania dhe specifikisht Kancelarja Merkel po luajnë një rrol pozitiv me Procesin e Berlinit dhe investimet rajonale në infrastrukturë, rrugorë, hekurudhore dhe energjetike.

„Ka nevojë që nisma e tillë e Kancelares të përcillet me investime rajonale dhe integrimin e rajonit në BE. Mënyra me e mire e ballafaqimit me problemet e emigrimit është të investohet në Ballkanin i cili është i rrethuar nga BE dhe ka potencial të madh të zhvillimit“, ka theksuar Thaçi.

Në këtë konferencë, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se do të kërkojë që Kosova të futet në listën e shteteve të sigurta. Kjo sipas tij, do të ishte një mbështetje për përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të parandaluar migrimin ilegal.

“Tash e disa muaj, numri i emigrantëve kosovarë që hynë brenda ditës në Gjermani është nën 40”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, edhe shtetet e rajonit, duke marr për shembull Kosovën, kanë filluar me kampanje të vetëdijesimit dhe kundër trafikantëve.

Ai ka thënë se situata në Kosovë është më e mira në 100 vitet e fundit. „Ne kemi pasur aparteid dhe gjenocid këtu dhe dilema para 15 vite ishte midis jetës apo vdekjes. Tani kërkesat e qytetareve janë natyrisht më të mëdha dhe ata dëshirojnë që përnjëherë t'i bashkëngjiten klasës së mesme evropiane”, ka shtuar Thaçi.

Për gazetën BILD që ka mbi 11 milion lexues të gazetës dhe 20 milion lexues online, Thaçi ka folur edhe për procesin e integrimeve evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat