Beqiri: Qytetarët do t'ia tregojnë vendin Visar Ymerit

Kosova

Beqiri: Qytetarët do t'ia tregojnë vendin Visar Ymerit

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 15:58

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri i është kundërpërgjigjur kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili e ka quajtur kryeministrin Isa Mustafa, dinak dhe të poshtër.

Beqiri ka thënë se nuk janë të befasuar me gjuhën të cilën po e përdorë Vetëvendosje.

“Qytetarët janë ata që do t’ia tregojnë vendin jo vetëm Ymerit, por edhe të tjerëve të cilët me sjelljet e tyre, me vandalizmat e tyre tregojnë se sa janë të papërgjegjshëm, se janë kundër ndërtimit të shtetit të Kosovës, të cilët me asnjë çmim nuk zgjedhin rrugë për ta dëmtuar pronën publike dhe atë private. Këta alternativë e kanë vetëm rrugën dhe kjo është për keqardhje”, ka thënë Beqiri.

Ai i ka quajtur të papranueshme edhe sjelljet e VV-së ndaj familjes së kryeministrit Mustafa.

“Ne si LDK, kryeministri Mustafa jemi për ta ndërtuar një shtet demokratik, të barabartë për të gjithë, një shtet që e pranon ofertën, ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm të miqve tanë, në këtë rast të SHBA-ve dhe BE-së. Ne jemi të bindur se ata nuk bëjnë diçka që e dëmton vendin tonë.Ne kemi besim të plotë në miqtë tanë, në të cilët jemi thirrur vazhdimisht për të na dal në ndihmë”, tha Beqiri.

Ai madje sjelljet e Vetëvendosjes i ka quajtur si sjellje komuniste.

“Qytetarët e Kosovës nuk e duan regjimin komunist, nuk i duan marksistat e leninistat, nuk i duan ata që edhe sot punojnë në gjysmë ilegalitet, por i duan ata që i ofrojnë vendit perspektivë dhe zhvillim ekonomik”, tha Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat