Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në Kosovë mjaftueshëm tregojnë se gjendja e vendit që nga pas lufta nuk ka qenë asnjëherë më e keqe se tani.
Sipas Limajt, shteti ynë po rrënohet për çdo ditë para syve tanë.
“Filluan me rrënimin e institucioneve të pavarura , vazhduan rrënimin ekonomiko-social të vendit, e që për pasoj pati largimin masiv të dhjetëra mijëra qytetarëve, largim i cili ende po vazhdon. Negociuan dhe dorëzuan pjesë të sovranitetit të shtetit. Nënshkruan dhënien e territorit tonë Malit të Zi. Me legalizimin e Bashkësisë së komunave serbe legalizuan entitet të ri politiko-juridik dhe territorial brenda Kosovës, përmes së cilës rrënuan rendin kushtetues-juridik dhe me këtë përfundimisht e ndanë Kosovën në baza etnike”, ka përmendur Limaj ato që ai i ka quajtur “disa nga të këqijat që ky koalicion qeverisës ia solli Kosovës brenda një periudhe të shkurtër kohore”.
Prandaj, duke qenë para një situate të tillë, sipas tij, është momenti i fundit që të gjithë ne të cilët e shohim njëjtë këtë gjendje dhe jemi të shqetësuar për të ardhmen e vendit, duhet të bashkohemi.
“Ndalja e rrënimit të mëtutjeshëm të shtetit tonë është e mundshme vetëm përmes një fronti të përbashkët opozitar”.
Me front opozitar, Limaj thotë se nënkupton jo vetëm partitë opozitare por edhe shoqërinë civile, intelektualë, studentë, punëtorë, të pa punë dhe të gjithë ata të cilët dëshirojnë të angazhohen për të ndalur rrënimin e shtetit para syve tanë.
“Ne mund edhe të kemi këndvështrime të ndryshme, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për angazhim të përbashkët në funksion të ndaljes së rrënimit të shtetit, kthimin e shpresës tek qytetarët dhe fillimin e ndryshimit të gjendjes”, ka përfunduar Limaj në shkrimin e tij në Facebook.