Çollaku: Kosova do të jetë përfituese e projekteve në Samit

Kosova

Çollaku: Kosova do të jetë përfituese e projekteve në Samit

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 15:08

Samiti i Vjenës dëshmon se Ballkani perëndimor nuk do të mbetet i harrur por do të ketë investime, me qëllim që në të ardhmen vendet të jenë të përgatitura për integrim evropian.

Kështu ka deklaruar ministri i integrimit Evropian Bekim Çollaku në një bisedë për Radio Kosovën, ku ka theksuar se edhe Kosova do të jetë përfituese e projekteve .

Ministri i integrimit Evropian Bekim Çollaku e vlerësoi lartë Samitin e Vjenës, ku pritet të konkretizohen zotimet për investime në projekte të përbashkëta në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se interesimi i BE-së në këtë drejtim tregon, se Ballkani perëndimor në të ardhmen se do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian:

Sipas tij, kjo iniciativë që ka filluar vitin e kaluar dhe që po vazhdon këtë vit në Samitin e Vjenës dhe e cila do ta vazhdojë edhe në tri Samite tjera që do të mbahen në tri kryeqytete të rëndësishme evropiane, është dëshmi e qartë se Ballkani perëndimor nuk do të mbetet I harruar, Ballkani perëndimor do të këtë vëmendje dhe investime nga Bashkimi Evropian. “Të gjitha këto së bashku pastaj do të japin rezultatin që ne të gjithë e dëshirojmë dhe ai rezultat patjetër që është integrimi I plotë në Bashkimin Evropian, mirëpo një integrim i shteteve të BP me një infrastrukturë dhe me një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe stabil I cili nuk do të sjellë kokëçarje në të ardhmen për BE-në”, tha ai.

Ministra Çollaku I cili po merr pjesë në këtë Samit, tha se edhe Kosova si të gjitha shtetet tjera të Ballkanit perëndimor do të përftojë në mënyrë të barabartë nga projektet e BE-së, që tashmë ka ndarë mbi 1 miliardë euro:

“Me konkretisht në Kosovë bëhet fjalë për dy projekte kryesore, infrastrukturore që është atustrada Prishtinë- Merdare dhe hekurudha nga Hani i Elezit për në Leshak. Pra Kosova do të përfitojë dhe jo vetëm kaq, do të përfitojë edhe projekte tjera për të cilat ne pastaj do të diskutojmë edhe në Kosovë në kuadër të Këshillit nacional për investime, siç e kemi thënë”, ka thënë ai. Çollaku ka treguar se do ta bëjnë listën prioritare të projekteve dhe nga donatorët potencial gjithmonë si prioritet dhe primar do të jetë Bashkimi Evropian. Mirëpo, siç ka thënë ai do të ketë edhe donatorë të tjerë siç është BERZH etj. “Kështu që qartazi mund të themi se ka një optimizëm dhe një siguri që vëmendja që në një kohë është konsideruar si e larguar nga Ballkani perëndimor përsëri do të rikthehet dhe po rikthehet dhe kjo është një gjë e mirë edhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit të bashkëpunimit rajonal për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore si parakusht i domosdoshëm për integrime evropiane”, tha Çollaku.

Ndërkohë bëhet e ditur se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në këtë samit do të prezantojë progresin në Kosovë dhe hapat në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë. E në deklaratën e përbashkët të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz dhe atij të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier lidhur me samitin për Ballkanin Perëndimor që po mbahet sot në Vjenë thuhet se pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian duket qartë se nuk do të ishte i plotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat