Vetëvendosje paralajmëron eskalim të situatës

Kosova

Vetëvendosje paralajmëron eskalim të situatës

Më: 25 gusht 2015 Në ora: 17:55

(E plotësuar) Ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në zhvillimin e aksionit të sotëm të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në shtëpinë e kryeministrit Isa Mustafa, kjo lëvizje e cilëson si të paarsyeshëm. Sipas VV-së, me këto veprime Policia e Kosovës po vihet në shërbim të interesave të individëve të caktuar, në këtë rast të Isa Mustafës.

Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se me këto veprime PK po provokon situatën, e që nëse vazhdon me të njëjtat, situata në vend mund të eskalojë.

Në një konferencë për media, Molliqaj edhe një herë paralajmëroi institucionet e Kosovës që të jenë të gatshëm të ballafaqohen me një organizim shumë të fuqishëm, të pakompromis, i cili do të bëhet për të mos lejuar zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Për eskalimin e mundshëm të situatës, Molliqaj përgjegjës e lë kryeministrin Mustafa.

“Nëse policia përmes urdhrave që po vijnë nga individë do të vazhdojë të provokojë situatën, të arrestojë padrejtë aktivistë të VV dhe qytetarë, dhe në anën tjetër me lëshuar pe ndaj Serbisë, ne paralajmërojmë institucionet që kjo do të qojë në eskalim të situatës në Kosovë dhe atë përgjegjësi do të mbajë kryeministri i Kosovës dhe institucionet përgjegjëse në këtë rast Policia e Kosovës”, tha ai.

Molliqaj edhe një herë tregoi se Vetëvendosje do ta kundërshtojë implementimin e marrëveshjes për asociacionin.

“Jo vetëm që do ta kundërshtojmë por ne do t’i kemi veprimet që do ta pamundësojnë zbatimin dhe miratimin e saj në institucionet e Republikës së Kosovës. Për neve, miratimi i çfarëdo forme të asociacionit në Kosovë, që ka aspekte të kompetencave ekzekutive dhe të shtrirjes së pushtetit në territorin e Kos ovës nga ana e Serbisë, do të jetë e papranueshme. E kemi bërë të qartë me kohë - ne nuk jemi të interesuar me bo shtetin tonë jofunksional, ne nuk jemi të interesuar me bosnjizuar Kosovën, ata të cilët po bëjnë plane për të bosnjizuar Kosovën, duhet të jenë të gatshëm të ballafaqohen me organizimin shumë të fuqishëm pakompromis - për dallim prej herëve të tjera- për ta parandaluar dhe mos lejuar një krijim të asociacionit”, tha ai.

Ai tha se përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel po i shërbejnë interesave të Serbisë, e që këtë e treguan edhe me marrëveshjen për telekomunikimin.

Sipas tij, me këtë marrëveshje, u tregua se Serbia edhe një herë i realizoi interesat e saj në Kosovë, dhe që edhe një herë u cenua sovraniteti i Kosovës.

“Në bazë të marrëveshjes së arri tur, Serbia e ruan të drejtën për të pasur kompani të vetën të telekomunikimit në Kosovë, e ruan të drejtën për të ruajt prefiksin e vet në Kosovë, tarifat e njëjta, praktikisht Kosova llogaritet si zonë e njëjtë me Serbinë sa i përket telekomunikimit përmes kompanisë së vet, ndërsa Kosova nuk fiton të drejtën për të aplikuar si shtet i pavarur për të fituar të drejtën e prefiksit siç i takon shteteve të tjera, por për ne do të aplikojë Austria. Pra në kuadër të marrëveshjeve gjithnjë e më shumë joreciproke dhe në dëmtim të interesave të Kosovës është edhe kjo e sotit”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera, që nëse i përgjigjen në këtë mënyrë aksioneve të kësaj lëvizje, që kjo çon në eskalim të situatës në Kosovë. Sipas tyre, në këtë mënyrë PK po provokon situatën dhe po shkel lirinë shprehjes së pakënaqësisë që kanë qytetarë t e Kosovës.

Për aksionin e sotëm, VV thotë se aktivistët kanë qenë aty për një aksion simbolik e paqësor, për të cilën ka qenë e njoftuar edhe policia.

Molliqaj: VV do të vazhdojë ta kundërshtojë Asociacionin

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka konfirmuar se gjatë aksionit të sotëm të VV-së janë arrestuar tre aktivistë të kësaj lëvizjeje.

Ai, në një konferencë për shtyp, ka thënë se do të vazhdojnë me aksione që do ta kundërshtojnë krijimin e “Zajednicës”, sepse e ajo e bosnjizon Kosovën dhe e defunksionalizon shtetin.

Molliqaj gjithashtu ka kundërshtuar edhe arritjen e marrëveshjes për Telekomunikacionin, duke thënë se me këtë marrëveshje Serbia do ta ketë operatorin e saj mobil në Kosovë, kurse për Kosovën duhet të aplikojë Austria.

Ai ka kërkuar nga policia e Kosovës që të përmbahet në aplikimin e forcës ndaj aktivistëve të VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat