Mustafa: SHBA përgëzon Kosovën për Specialen

Kosova

Mustafa: SHBA përgëzon Kosovën për Specialen

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 07:17

(E plotesuar) Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, krerët e institucioneve të Kosovës kanë marr përgëzime nga vendet mike të Kosovës.

Një mesazh falënderimi ka marr edhe kryeministri Isa Mustafa nga zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan për Evropë dhe Azi, Hoyt Yee, i cili ka siguruar Mustafën se SHBA-të do të jenë përkrah shtetit të Kosovës në të gjitha fazat e ndërtimit të shtetit dhe integrimeve evropiane e euro-atlantike.

Këtë, kreu i ekzekutivit Isa Mustafa e bëri të ditur në mbledhjen e Qeverisë, në të cilën u miratua nisma për lidhjen e marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të zi.

I pari i Qeverisë tha se gjatë një bisede telefonike që ka pasur me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Yee, ky i fundit e ka falënderuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Mustafa theksoi se ka qenë një vendim jo i lehtë, por me këtë veprim kanë treguar se janë për ndërtimin e një shtetit ligjor.

Mustafa: SHBA përgëzuan Kosovën për Specialen

“Ai ka shprehur mirënjohjen e madhe për Qeverinë e Kosovës dhe për Kuvendin e Kosovës për vendimin lidhur me themelimin e dhomave të veçanta dhe prokurorisë së veçantë. Po ashtu ka shprehur përkushtimin e SHBA-ve që të na përkrahin në të gjitha fazat e zhvillimit tonë, integrimit euro-atlantike dhe të kemi mbështetjen e tyre për proceset integruese dhe për proceset e ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik të vendit tonë”, tha Mustafa.

Kreu i Qeverisë, ka folur edhe rreth miratimit të nismës për lidhjen e marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Mustafa tha se kjo marrëveshje shënon përkufizimi e shtetit të Kosovës.

Mustafa: Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi përkufizon shtetin tonë me fqinjët

“Konsideroj se po ashtu iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi është tepër e rëndësishme për zhvillimin tonë. Sepse kjo shënon përkufizimin shtetëror të shtetit tonë me vendet fqinje dhe ndërtimin e marrëdhënieve të reja mbi bazën e respektimit të kufijve shtetëror”, theksoi Mustafa.

Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi tha se Kosova në kuadër të forcimit të subjektivitetit të vet ndërkombëtar dhe ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit, në veçanti me vendet fqinje, është duke punuar intensivisht që të përmbyllet çështja e demarkacionit që është standard edhe ndërkombëtarë, por edhe në kuadër të konsolidimit si shtet.

Thaçi: Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi avancon marrëdhëniet dypalëshe

“Pas përmbylljes së demarkacionit me Maqedoninë, është punuar intensivisht tash e tri vite nga ky komision që kjo çështje të përmallet edhe me Malin e zi. Komisioni ka bërë një punë profesionale, prandaj kam nderin t’iu informoj në pika të shkurtra rreth nismës për lidhjen e marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi. Marrëveshja e lartpërmendur përveç rëndësisë dhe përmbajtjes së saj do të avancoj edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Përmes kësaj marrëveshje ne konfirmojmë angazhimin reciprok për të kontribuuar në marrëdhëniet fqinjësore, sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe me gjerë”, tha Thaçi.

Marrëveshja për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi do t’i nënshtrohet ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu në këtë mbledhje, kryemi nistri Mustafa theksoi se i kanë dhënë ofertë Maqedonisë për t’i ndihmuar në kalimin e gjendjes pas vërshimeve me trupat e FSK-së, por kjo mbetet çështje e hapur. Por, ai tha se nëse kanë pajtimin që t’i dërgojnë, atëherë duhet t’i drejtohen edhe presidentes sepse ajo e autorizon pjesëmarrjen e njësive të FSK-së jashtë shtetit për të dhënë kontributin e tyre.

Ndërsa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, tha se i kanë shprehur gatishmërinë shtetit maqedonas për t’i ndihmuar me ekipet e FSK-së, por ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë.

Demolli: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Maqedoninë, por ende s’kemi kërkesë

“Vërtetë ne kemi përcjell gjendjen në Maqedoni pas të reshurave të mëdha që ka pasur dhe dëmeve të mëdha që ka pasur si në dëme materiale, ashtu edhe në viktima dhe ne si Ministri kemi dërguar edh e ambasadës tonë, por edhe Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë, një shkresë përmes të cilës kemi shpreh keqardhje dhe ngushëllime për viktimat e shkaktuara me rastin e kësaj gjendje. Mirëpo, në të njëjtën kohë kemi treguar gatishmërinë tonë që forcat tona të kërkim shpëtimit dhe kapacitetet tjera të FSK-së t’iu ofrojmë ndihmën e nevojshme. Deri me tani nuk është paraqitur ndonjë kërkesë prej tyre, mirëpo në rast se paraqitet kërkesa ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat e parapara me ligj për aprovim në Qeveri dhe presidencë”, tha Demolli.

Po ashtu edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka kërkuar që të ndahet një fond për kompensimin e dëmeve në bujqësi, të shkaktuara nga vërshimet që ndodhen këto ditë, por edhe muajt më herët. Krasniqi ka shtuar se ka dëme të konsiderueshme në disa komuna, por duhet bërë disa vlerësime në mënyrë që të ketë të dhëna reale për dëmet.

Në këtë mbledhje të Qeverisë janë miratuar edhe disa propozim vendime tjera.

Qeveria sot mban mbledhjen e radhës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të mbajë sot mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Mbledhja do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë me fillim në orën 09:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat