Rekomandohen emrat e 17 kandidatëve për prokurorë

Kosova

Rekomandohen emrat e 17 kandidatëve për prokurorë

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 21:57

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KPK-së kanë diskutuar lidhur me draft Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Anëtarët kanë vlerësuar se kandidatët, të cilët aplikojnë për anëtarë të KPK-së, duhet të kenë mandat të përhershëm të prokurorit.

Anëtarët aprovuan propozimin që çdo kryeprokuror që është në detyrë do të ketë të drejtën të kandidoi për anëtar të KPK-së. Në rast të zgjedhjes anëtar i KPK-së, pas betimit, kryeprokurorët duhet të japin dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse.

Po ashtu, anëtarët vlerësuan se nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe nga fakultetet juridike, duhet të ketë nga një përfaqësues për anëtarë të këtij këshilli, ndërkaq, Kuvendi i Kosovës duhet të merret me procedurat tjera, deri në përzgjedhjen e këtyre anëtarëve.

Ndërkaq, sa i përket përfaqësimit gjinor në KPK, anëtarët morën vendim që në përbërjen e re të Këshillit Prokurorial të ketë tri anëtare femra, nga trembëdhjetë anëtarë që do t’i ketë ky këshill.

Po sot, anëtarët e KPK-së diskutuan dhe aprovuan raportin financiar për periudhën Janar-Korrik 2015 për Prokurorin e Shtetit.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishe caktimi i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Anëtarët e KPK-së aprovuan propozimin e prokurorëve të PSRK-së, që në krye të këtij institucioni, deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, të jetë prokurori Reshat Millaku.

Anëtarët e KPK-së u pajtuan që të lidhet kontrata mes KPK-së dhe BVI-së për marrjen në shfrytëzim të objektit të ish-AKI-së për Prokurorin e Shtetit.

Komisioni për emërim i Këshillit Prokurorial i ka rekomanduar anëtarëve të KPK-së emrat e nëntë (9) kandidatëve për prokurorë të komuniteteve të cilët i kanë plotësuar kriteret e nevojshme për prokurorë. Edhe pse kanë qenë të parapara 15 pozita të caktuara për komunitete sipas marrëveshjes së Brukselit, u konstatua se vetëm nëntë kandidatë do t’i propozohen presidentes së Republikës së Kosovës për emërim, pasi që të tjerët si kanë plotësuar kriteret e nevojshme.

Po ashtu, komisioni për emërim i KPK-së i ka rekomanduar Këshillit Prokurorial emrat e 17 kandidatëve për prokurorë. Pas shqyrtimit të të gjitha dokumenteve të kandidatëve, u konstatua se shumica prej këtyre kandidatëve i plotësojnë kriteret dhe të njëjtit do t’i propozohen Presidentes së Republikës së Kosovës për emërim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat