Cilët janë hapat e ardhshëm për Gjykatën e Posaçme?

Kosova

Cilët janë hapat e ardhshëm për Gjykatën e Posaçme?

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 16:10

Prokurori kryesor ndërkombëtar i Gjykatës Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, David Schwendiman është shprehur i “inkurajuar” me miratimin e legjislacionit për themelimin e Gjykatës dhe ka ftuar të gjithë faktorët e përfshirë në ketë çështje që t’i vazhdojnë përpjekjet, në mënyrë që ky mekanizëm gjyqësor të mund të funksionojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ai ka deklaruar se “procesi i krijimit të Dhomave Speciale dhe i Zyrës së Prokurorit Special ende nuk është i kompletuar, prandaj duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm”.

Disa nga anëtarët e grupit teknik për shqyrtimin e legjislacioni për formimin e Gjykatës Speciale, kanë shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se hapi i ardhshëm për formimin e kësaj gjykate është negocimi i një marrëveshjeje me shtetin ku do të jetë qendra kryesore e kësaj gjykate.

Kjo marrëveshje do të negociohet ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe vendit ku do të jetë selia kryesore e gjykatës.

Pas arritje së marrëveshjet ndërkombëtare dhe ratifikimit të saj në Kuvendin e Kosovës, anëtaret e grupit teknik kanë shpjeguar se hapi tjetër i ardhshëm do të jetë përzgjedhja e gjyqtareve dhe prokurove, që do të jenë të gjithë ndërkombëtarë.

Anëtari i grupit teknik për shqyrtimin e legjislacioni për formimin e Gjykatës Speciale, Enver Peci tha për Radion Evropa e Lirë se për formësimin e Dhomave të Veçanta për gjykatën, kompetentë janë ndërkombëtarët dhe Kosova nuk ka kompetenca për procedurat e mëtutjeshme.

“Nuk jemi ne kompetent të vendosim se çfarë duhet bërë tutje. Mirëpo, me sa dihet ata (ndërkombëtarët) janë duke punuar. Përzgjedhja e gjyqtareve, kompletimi i stafit të duhur dhe gjërat e tjera që duhet të bëhen sipas ligjeve që janë aprovuar, duhet të ndodhin. Kjo është kompetencë e ndërkombëtareve”, tha Peci.

Anëtari tjetër i grupit teknik për shqyrtimin e legjislacioni për formimin e Gjykatës Speciale Sylë Hoxha, pohoi se Gjykata e Posaçme për krime lufte e cila do ta ketë selinë në një shtet të Bashkimit Evropian, sipas ligjit, do t'i ketë edhe disa zyra në Kosovës.

“Sigurisht që edhe njësitet e caktuara të Policisë së Kosovës do t’i ndihmojnë këto dhoma, njësi të veçanta. Do të jenë edhe vendorët që do të ndihmojnë në raste të caktuara dhe do ta kenë një mbështetje teknike”, tha Sylë Hoxha, i cili deri sa ka qenë ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit ka qenë anëtar i këtij komisioni.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën ndryshimet kushtetuese, me të cilat hapet rruga ligjore për ngritjen e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte.

Gjykata e Posaçme për Krime Lufte, apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parasheh të funksionojë në përputhje edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare, së cilës i është dhënë përparësi kundrejt ligjeve vendase me nenin 19(2) të Kushtetutës.

Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor të vitit 2000, thuhet në nen 7 të këtij ligji.

Ish-prokurori kryesor i grupit hetues të Bashkimit Evropian, Clint Williamson në vitin e kaluar ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzës kundër disa zyrtarëve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për "shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës".

Williamson pati thënë se "viktimat e këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pakica të tjera, por gjithashtu shqiptarë të Kosovës, të cilët u etiketuan si kolaboracionistë të serbëve ose të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së"./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat