Rexhep Selimi: Emrat për Specialen nuk i dinë as Milaim Zeka dhe as Hashim Thaçi

Kosova

Rexhep Selimi: Emrat për Specialen nuk i dinë as Milaim Zeka dhe as Hashim Thaçi

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 13:06

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, duke e komentuar publikimin e një liste nga ana e gazetarit Milaim Zeka, në të cilën lakohet emri i tij si i akuzuar potencial nga Gjykata Speciale, ka thënë se as Milaim Zeka e as Hashim Thaçi nuk i dinë emrat që pritet të jenë në mesin e të akuzuarave nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se nuk e merr si shumë serioze këtë punë, duke e ditur se Milaim Zeka nuk është ai që i bën listat.

“Nuk do të doja t’i shihja mediat tona në këtë kërkim të shpikjes së emrave, duke kërkuar se kush është ose nuk është në këtë listë. Nuk besoj se as Thaçi dhe as Milaim Zeka i ka listat se kush është në listën e të akuzuarve për Specialen”, ka shtuar Selimi.

Ndryshe, të martën gazetari Milaim Zeka, ka publikuar një listë me emra, për të cilën pretendon se janë emrat me të cilët do të merret Gjykata Speciale.

Sipas asaj që ka publikuar Zeka, rezulton se në listë kemi kokat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Duke filluar nga ish lideri politik i saj, Hashim Thaçi, pastaj ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e që pjesë e kësaj liste është edhe deputeti i LVV-së Rexhep Selimi.

Emri i Selimit ishte lakuar dje edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës, kur ai folur për deputetët e LVV-së, iu kishte thënë atyre se mund të rinë te qetë se asnjërin prej tyre nuk do ta prek Specialja, përveç deputetit Rexhep Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat