Opozita e befasuar nga ndryshimi i rezultatit

Kosova

Opozita e befasuar nga ndryshimi i rezultatit

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 20:05

I dëshpëruar pas votimit të Speciales u pa të jetë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili votimin pro të Speciales nga ana e deputetëve të pozitës e quajti si një gabim të klasës politike, gabim ky që, sipas tij, do t’ia vështirësojë rrugën Kosovës si në rrafshin nacional ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Haradinaj tha se gjithçka që ka ndodhur deri më tani rreth krijimit të Gjykatës Speciale ka qenë e çuditshme, e madje edhe votimi i sotëm.

Haradinaj: Votimi gabim i klasës politike

“Siç e patë, u votua në parlament neni ose amendamenti për ndryshimet kushtetuese i cili lidhet me dhomat e posaçme. Shumëçka është e çuditshme rreth kësaj teme. Riprocedimi është i çuditshëm është diçka që nuk ka ndodhur ndonjëherë, edhe me këtë votim mendoj që ka ndodh gabim I klasës politike, gabim i cili do t’ia vështirësojë rrugën Kosovës edhe në planin nacional edhe në planin e jashtëm. Pra, do të sjellë shumë sfida për Kosovën në periudhën që vjen”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së më tej tha se subjekti i tij politik përveç që kundërshtoi ndryshimet kushtetuese duke mos marrë pjesë fare në votim së bashku me dy subjektet e tjera opozitare, Vetëvendosjen dhe Nisma për Kosovën, opozita ende nuk ka menduar se çfarë hapash të tjerë do të ndërmarr, për faktin se një rezultat të tillë nuk e prisnin.

Haradinaj: Nuk jemi përgatitur për veprime tjera, pasi që nuk pritëm një votim të tillë

“Pikëpamjet tona i dhamë në parlament, nuk kemi menduar për veprimet tjera si pasojë sepse me thanë të drejtën kemi menduar që parlamenti nuk do ta bëj një gabim të tillë… Nuk e di a është kjo arritje e zotëri Thaçit dhe sa është arritje, por rezultati vërtetoi se ka ndryshim të pozicionit të deputetëve nga hera që shkoi”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se mbetet të shihet në vazhdim për t’u koordinuar me subjektet e tjera politike për hapat që do të ndërmarrin pas votimit të speciales.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e PDK-së Ganimete Musliu e cila edhe kësaj here i tha jo krijimit të Speciales u prononcua para medieve se nuk ishte e fuqishme për të bindur kolegët e saj deputetë, dhe qëndrimin e saj tashmë e konsideron vetëm qëndrim moral.

Musliu: Qëndrimi im kundër, tashmë mbetet vetëm moral

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime, UÇK është meritorja për lirinë që ne gëzojmë sot, dhe është thjesht shpëtimtarja e popullit të Republikës së Kosovës. Edhe atëherë edhe tani besoj dhe jam shumë e bindur se akuzat e raportit të Dick Martyt janë akuza të pabaza prandaj i kam thënë jo kësaj gjykate dhe do ta mbroj qëndrimin tim tashmë moral kisha me thanë sepse nuk kisha fuqi më të madhe që të bëj diçka në ndryshimin e realiteti që ndodhi në Kuvendin e Kosovës”, tha Musliu.

Se a ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimit nga ana e deputetëve që me 26 korrik i thanë jo speciales, presioni i madh i bërë javëve të fundit, kjo sipas Musliut mbetet në të drejtën e çdo deputeti që të veprojë ashtu si mendon, duke shtuar më tej se deputetët që kanë ndryshuar mendim i kanë pasur arsyet e veta pse kanë ndryshuar.

Deputetët sot në orët e pasdites me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim votuan për ndryshimin e amendamentit kushtetues që i hap rrugën formimit të Gjykatës Speciale dhe tani pas procedimit në Qeveri, pritet që ligji të votohet në seancën e jashtëzakonshme e cila ende nuk ka filluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat