Haradinaj: Po e kthejmë vetën në eksperiment

Kosova

Haradinaj: Po e kthejmë vetën në eksperiment

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 11:42

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka theksuar se të pyetej para disa kohësh se a mund t’i ndodhë Kosovës ajo se çfarë po i ndodh tash, nuk do ta kishte besuar.

“Kam besuar shumë që në Qeverinë aktuale ka njerëz që e kuptojnë për çka po bëhet fjalë, dhe nuk do të bien në grackën e llogarive të imta. Duhet të mendojmë që mos të i bëjmë dëm brezave pas nesh. Kam besuar që edhe në PDK, e cila vazhdon të thirret në vlerat e Adem Jasharit, Luanit e Zahirit, ka burra që dinë të thonë jo. Po më vjen keq që po e shoh njëfarë qyqarllëku. Nuk di se çfarë do të thoni pas disa viteve”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha “nuk kemi qenë të tillë si po duan të na paraqesin”, duke shtuar se “nuk kemi qenë monstrum, por kemi qenë viktimë”.

“Për të analizuar pse jemi këtu, duhet një analizë e thellë. Unë ju lus edhe njëherë dhe kjo s’ka të bëjë me parti apo me interesa, as me votë, por ka të bëjë me atë se si me ia leju këtij vendi me qenë në terren më të mirë. Si me ia mundësu Kosovës me shku ma qëndrueshëm përpara jemi të gjithë të interesuar. Nuk jemi për të mos e formuar një gjykatë për dënimin e krimeve, mirëpo jo që kjo gjykatë të jetë selektive. Një shprehje ka ekzistuar çdo herë, është ‘shqiptar e krenar’.

Nëse krenaria jonë bie kaq për tokë, besomëni nuk do t’i duhemi askujt”, ka shtuar Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat