Jashari: Deputetët që nesër ndryshojnë votën janë të pamoralshëm

Kosova

Jashari: Deputetët që nesër ndryshojnë votën janë të pamoralshëm

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 20:36

Amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, nesër edhe një herë do të dalin për votim përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Edhe kësaj radhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kërkojnë nga deputetët që prapë t’i thonë Jo themelimit të Tribunalit Special.

Kësaj radhe, nuk e kundërshtojnë krijimin e gjykatës me protesta edhe pse, ata më 26 qershor, kur edhe u mbajt seanca e parë për Specialen, u mblodhën në protestë përpara Kuvendit.

Arsyeja pse nesër nuk do të protestojnë sikurse herën e kaluar është besimi që ata kanë tek ata deputetë që atë ditë votuan kundër krijimit të kësaj gjykate.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, thotë se nëse të njëjtit që i thanë Jo atë ditë krijimit të Gjykatës, nesër ndryshojnë qëndrim, ata tregohen se janë të pa-përgjegjshëm e të pa-moralshëm.

Jashari thotë se amendamentet për Specialen nuk është dashtë në asnjë mënyrë të ri-procedohen në kuvend.

Ai thotë se kanë pas aktivitete me deputetë të Kuvendit, lidhur me këtë çështje, dhe se besojnë në ta, që nesër përsëri do të pengojnë krijimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tij nëse ata deputetë ndërrojnë qëndrimin e tyre karshi kësaj çështje, atëherë del se ata po mbrojnë vetëm interesin e tyre personal dhe jo atë të qytetarëve, për çka edhe janë të thirrur në Kuvend.

Të premten e kësaj jave, qeveria ri-procedoi në kuvend ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. E po atë ditë, u mblodh edhe kryesia e kuvendit ku edhe u fut në rend dite, për të hënën(nesër), Gjykata Speciale.

Krijimi i kësaj gjykate dështoi në seancën e 26 qershorit ku deputetët e Parlamentit të Kosovës refuzuan të votojnë amendamentin që do t’i hapte rrugë krijimit të Speciales. Nuk arritën të sigurohen 81 vota të nevojshme, pasi që 7 deputetë votuan kundër e 2 të tjerë abstenuan.

Thirrje të shumta për krijimin e Gjykatës Speciale, erdhën nga faktori ndërkombëtar duke treguar se në rast se Kosova dështon ta themelojë këtë gjykatë, atëherë këtë e bënë Këshilli i Sigurimit në OKB.

Pas më shumë se një muaj nga dështimi për krijimin e Speciales, koalicioni qeverisës PDK-LDK arriti që edhe një herë ta kthejë për votim në Kuvendin e Kosovës, ku edhe u shprehën të bindur që nesër ky proces do të kalojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat