Skanohen 190 libra kadastral (Video)

Kosova

Skanohen 190 libra kadastral (Video)

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 07:27

Dialogu në mes Beogradit dhe Prishtinës i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, drejton mënyrën e përpunimit të dhënave të regjistrave kadastrale, të cilët po mbahen aktualisht në Serbi.

Sipas Marrëveshjes për shënimet kadastrale, këto kopje të skanuara do t’i dorëzohen Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe më pas do të krijohet një agjenci teknike, në mënyrë që të krijojë një kadastër plotësisht të besueshëm në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, deri më tani janë skanuar: 2.556.934 imazhe, pra 190 libra kadastral. Nga numri i vlerësuar i përgjithshëm janë skanuar: 4.037.264 imazhe apo 300 libra

Përveç kësaj, të gjitha dokumentet e skanuara do të indeksohen për kërkim të lehtë dhe referencë.

Projekti i financuar nga BE-ja është planifikuar të finalizohet me fillim të vitit 2016. Shpresohet se deri në atë kohë do të themelohet edhe agjencia e re teknike, Agjencia Kosovare e Verifikimit dhe Krahasimit të Pronës në bazë të ligjit që pritet të miratohet.

“Mospërputhjet do të zbulohen vetëm pasi agjencia e re fillon krahasimin dhe verifikimin e shënimeve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Ligji për këtë agjencion disa herë është kthyer në Parlamentin e Kosovës dhe në këtë fazë ka kaluar në lexim të parë.

Edhe Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, thotë se përgjegjësia për moszbatim të marrëveshjes për shënimet kadastrale i takon Prishtinës. Ajo pret që Kuvendi i Kosovës të miratojë Ligjin për agjencionin teknik, për t’i hapur rrugë implementimit të kësaj marrëveshjeje.

Lidhur me dokumentacionin kadastral, janë gjithsej tetë pika për të cilat janë pajtuar Kosova e Serbia më 2 shtator të vitit 2011, në Bruksel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat