Thaçi ende s’i ka votat e sigurta për Specialen

Kosova

Thaçi ende s’i ka votat e sigurta për Specialen

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 21:00

Ndonëse i Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës pati takime të shpeshta me deputetët e partisë së tij që kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale, ai ende nuk e ka të sigurt se i ka bindur deputetët të votojnë pro saj.

Edhe dy ditë para riprocedimit në Kuvend, disa anëtarë të PDK-së janë deklaruar kundër, e disa të tjerë duhet të mendohen prapë nëse do ta votojnë ose jo Gjykatën Speciale.

Ai që e ka ndarë mendjen qysh tashti është Nait Hasani, i cili ka thënë se nuk do ta votojë Specialen.

Edhe Ganimete Musliu, e cila qysh në fillim është deklaruar kundër saj, ka thënë për Klan Kosova se prapë do t’i thotë jo krijimit të Dhomave Speciale.

Ndërsa, Xhevahire Izmaku ka deklaruar se nuk është prononcuar kurrë për Gjykatën Speciale dhe se vendimi i saj do të dihet tek të hënën.

Kurse, Flora Brovina e ka rideklaruar se do të abstenojë edhe kësaj here, për shkak se përkrahë qëndrimin që vendi duhet ta krijojë një gjykatë të tillë vet.

Blerta Deliu dhe Nuredin Lushtaku, nuk kanë dashur ta bëjnë publik qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat