​Bajrami premton ndihmë për shqiptarët e Malit të Zi në fushën e arsimit

Kosova

​Bajrami premton ndihmë për shqiptarët e Malit të Zi në fushën e arsimit

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 16:28

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në ditën e dytë të vizitës në Mal të Zi, është pritur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, ndërsa është takuar edhe me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi.

Në të dy takimet është biseduar për gjendjen e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, për mundësitë e bashkëpunimit në të mirë të ngritjes së cilësisë, si dhe për ndihmën që mund të japë Republika e Kosovës në këtë drejtim.

Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit, ministri Bajrami ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit që të ndihmojë në avancimin e standardeve të mësimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet.

“Kemi një konsensus të plotë me ministrin e Arsimit të Malit të Zi që të punojmë së bashku për ruajtjen e standardeve të mësimit shqip, për rritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe, për përmirësimin e kualitetit të teksteve mësimore”.

Ministri e ka informuar kryetarin e Ulqinit edhe për mundësitë që ka ofruar MAShT për studentët shqiptarë të Malit të Zi.

“Asnjë student nga Mali i Zi nuk do të mbetet pa qasje në universitetet e Kosovës. Ofrova mundësinë që përveç studimeve bazike, të kemi studentë edhe në studimet e masterit dhe doktoraturës”.

Ndërsa, kryetari Gjeka ka theksuar nevojën e madhe që kanë shqiptarët në Mal të Zi për përkrahje nga MAShT. Ai e falënderoi ministrin Bajrami që po krijon mundësi për përgatitjen e kuadrove, të cilat janë shumë të nevojshme për shqiptarët.

Edhe në takimin me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, ministri Bajrami tha se Qeveria e Kosovës do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për mësimin shqip në Mal të Zi, sikur që po bën edhe për Luginën e Preshevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat