Qarku Lorrach jep 600 euro për azilkërkuesit që kthehen vullnetarisht

Kosova

Qarku Lorrach jep 600 euro për azilkërkuesit që kthehen vullnetarisht

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 16:19

Në përpjekje për të larguar nga vendi azilkërkuesit e “vendeve të sigurta” ose për t`i bindur ata që të largohen vetë, institucionet gjermane të niveleve të ndryshme kanë një hapësirë të lirë veprimi, gjegjësisht mundësi për “zgjidhje kreative”.
Kështu, qarku i Lorrach-ut (landi jugor Baden Württemberg) ka marrë jë iniciativë interesante, që përmes parave të joshë kosovarët dhe ballkanasit tjerë që të marrin rrugën e kthimit në vendet e tyre.

Ata refugjatë që e tërheqin kërkesën e tyre për azil dhe marrin vendimin për t`u kthyer prej nga kanë ardhur, qarku Lorrach i shpërblen me një ndihmë financiare për kthim.

Sigurisht, ky program ka të bëjë vetëm me refugjatët ballkanikë, shkruan 24.de.

Ai që tërheq kërkesën e azilit dhe veç kësaj nënshkruan marrëveshjen se as në vitet e ardhshme nuk do të bëjë kërkesë të re për azil, përfiton 600 euro dhe një këshillim për kthim. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i autoritetit të qarkut për mediet gjermane, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, ky model mundëson kursim të mjeteve dhe lirim të vendeve për strehim në qendrat e azilit.

Qarku i Lorrach-ut deri më tash ka shpenzuar rreth 65000 euro për programin e kthimit. 107 persona kanë shfrytëzuar këtë ofertë dhe, gjatë javëve në vijim do të kthehen në vendet e tyre me autobusë. Ndërsa ofertat e ngjashme për kthim që ishin bërë në nëntor dhe në shkurt i kishin shfrytëzuar 141 persona. Kështu, autoritetet e qarkut të Lorrach-ut “menaxhimin e kthimit” e konsiderojnë si një sukses të tyre.

Personat që përfitojnë këtë ndihmë obligohen që në rast se vijnë sërish në Gjermani të kthejnë të hollat e marra.

Por nuk është vetëm qarku i Lorrach-ut që ka bërë një përvojë të tillë. Në qarkun Biberach kjo praktikë ekziston edhe më gjatë. Atje madje autoritetet janë edhe më “zemërgjera”: për një të rritur që vendos të kthehet japin nga 2000 euro dhe për fëmijët nga 1000 euro, përcjell albinfo.ch.

Ndërkaq, parti dhe qarqe të ndryshme në Baden Württemberg dhe në Gjermani janë shumë kritkë ndaj kësaj praktike. Sipas tyre kjo është një element joshjeje më shumë për të sjellë në Gjermani edhe më shumë refugjatë tjerë që marrin vesh për këtë stimulim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat