Tabelat alternative për shpëtimin e drunjve

Kosova

Tabelat alternative për shpëtimin e drunjve

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 14:36

Nisur nga shqetësimet e qytetarëve, ambientalistëve dhe zyrtarëve institucionalë për dëmtimin e drunjve në qendër të qytetit, si rezultat i ngjitjes së vazhdueshme të posterëve reklamues dhe shpalljeve njoftuese, EC Ma Ndryshe të shtunën ka realizuar performansën publike ‘’Drunj të pastër’’, e cila bën thirrje për më shumë kujdes në ruajtjen e vlerave natyrore të qytetit.

Përderisa drunjtë janë atribues kryesor në pastërtinë e ajrit, gjelbërimin dhe hijen e krijuar si dhe janë përbërës të rëndësishëm në peizazhin e qytetit, ata vazhdimisht po përdoren si sipërfaqe reklamuese. Ngjitja dhe shpimi në sipërfaqen e drunjve i dëmton ato për arsye se dëmtohet një prej shtresave më esenciale të vet drurit, ajo mbrojtëse, e cila shërben si transmetues i lëndëve ushqyese nga rrënjët deri te gjethi.

Për të evituar këtë, EC Ma Ndryshe propozon që në akset kryesore të rrugëve të vendosen tabela të cilat kanë për destinim ngjitjen e materialeve njoftuese dhe promovuese. Për këtë është realizuar një analizë, që është përqendruar në dy segmentet e rrugëve prej objektit të Komunës e deri te ura Arasta, me ç’rast është parë se nga gjithsej 42 drunj të perimetrit 1,3 m deri në 2 m, sipërfaqja e cila shfrytëzohet për reklamim është rreth 50 m2.

Në vend të kësaj, është propozuar një alternativë e tabelës reklamuese e cila ka hapësirë shfrytëzimi në te dy anët me gjithsej 5,24 m2. Në bazë të llogarive të dala nga analiza, aplikimi i kësaj tabele në 9 ekzemplarë përgjatë segmenteve të analizuara, do të lironte drunjtë nga njoftimet e reklamat.

Gjatë performansës ‘’Drunj të pastër’’ është bërë prezantimi i tabelës, që për bazë ka jo vetëm funksionin utilitar, por edhe atë të artit publik. Koncepti i kësaj alternative bazohet në diversitetin kulturor, etnik dhe fetar të qytetit të Prizrenit, duke reflektuar në dizajn një kompozicion të karaktereve të ndryshme në këtë vend. Dimensionet e sipërfaqes për ekspozimin e njoftimeve dhe reklamave janë përcaktuar të jenë të përshtatshme edhe për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta.

Paralelisht prezantimit të tabelës për pastrimin e drunjve nga materialet promovuese është bërë pastrimi i disa drunjve ekzistues, me thirrjen për më shumë kujdes në trajtimin e tyre në të ardhmen.

Performansa publike “Drunj të pastër” është realizuar në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës...”, të financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë. “Qyteti gjithëpërfshirës...” është projekt tre-vjeçar i EC Ma Ndryshe, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat