​Mustafa jep mbështetje për komunat e Anamoravës (Foto)

Kosova

​Mustafa jep mbështetje për komunat e Anamoravës (Foto)

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 17:19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga disa ministra të Qeverisë së Kosovës, ka vizituar të premten Komunën e Ranillugut dhe Komunën e Kamenicës.

Gjatë vizitës në Ranillug, kryeministri Isa Mustafa u prit nga kryetari i Komunës, Gradimir Mikiq, me të cilin kanë biseduar për aspektet kryesore që lidhen me jetën e qytetarëve të Ranillugut.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi punën dhe angazhimin që po bëhet në çështjet jetike të qytetarëve, siç janë ato që kanë të bëjnë me objektet e infrastrukturës dhe me projektet e tjera zhvillimore.

Duke folur për Buxhetin e kësaj Komune, kryeministri Mustafa theksoi nevojën e gjetjes së mundësisë që grantet dhe subvencionet qeveritare t’u përshtaten kritereve të popullatës, e cila është më e dendur në këtë komunë, dhe e cila ka hapësirë më të vogël të tokave në krahasim me pjesët tjera të vendit.

Kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, u shpreh i nderuar me vizitën e kryeministrit Mustafa, duke e informuar për punën që po bëhet në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Ranillugut.

Mikiq theksoi se kanë hasur në mirëkuptim nga ana e kryeministrit, duke e falënderuar për qasjen dhe vendosmërinë e tij që të zgjidhen këto probleme.

“Për disa gjëra kemi gjetur menjëherë zgjidhje, gjë që tregon që kjo vizitë nuk është vetëm formale por edhe përmbajtjesore, ku kërkohet mënyra e zgjidhjes së çështjeve, ku kërkohet zgjidhja problemeve me të cilat ballafaqohet Komuna”, tha Mikiq.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Kamenicë, kryeministri Isa Mustafa është takuar fillimisht me kryetarin e Komunës, Begzad Sinani dhe udhëheqjen komunale, ku është biseduar për zhvillimet kryesore në Kamenicë.

Më pas, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat dhe kryetari i Komunës, kanë vizituar objektin e banimit social dhe biznesin për prodhimin e kërpudhave “Fungo FF”, në Kamenicë.

Kryeministri Isa Mustafa, shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për të ndihmu ar në zhvillimin e projekteve infrastrukturore, projekteve në fushën e arsimit, por edhe të projekteve që kanë të bëjnë me punësimin, me zhvillimin ekonomik dhe me përkrahjen e bizneseve.

Kryeministri Mustafa po ashtu vlerësoi si shembull të mirë të punësimit fabrikën e kërpudhave dhe të produkteve të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat