Vihet në funksion aparati i mamografit në Ferizaj

Kosova

Vihet në funksion aparati i mamografit në Ferizaj

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 19:40

Qendra kryesore e Mjekësië Familjare (QKMF) ka vënë në funksion aparatin e mamografisë, një aparat shumë i nevojshëm që shërben për të identifikuar dhe diagnostifikuar me kohë kancerin e gjirit.

Aparati i mamografisë ka mbërritur në Ferizaj falë angazhimit edhe të Grupit të Grave deputete në Kuvendin Komunal të Ferizajt, të cilat kanë organizuar edhe fushata mbështetëse që kanë rezultuar të suksesshme.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Burim Karameta këtë aparat e ka vlerësuar të jetë një prej aseteve me rëndësi për mjekësinë primare të Ferizajt, pa harruar të përmend edhe rëndësinë e tij në aspektin shëndetësor.

"Ky aparat është një pasuri e qytetit të Ferizajt, e cila nga dita e sotme do të jetë në funksion dhe shërbim të qytetareve tona, në preventivën e sëmundjes së kancerit të gjirit", ka thënë drejtori Karameta, ndërsa ka thënë se ky aparat është në funksion të grave mbi moshën 40 vjeçe dhe atyre grave që ordinohen nga mjekët për të bërë incizimin e duhur.

Që prej dhjetorit të kaluar kur është përuruar ky aparat kanë kaluar disa muaj, por drejtori Karameta këto vonesa i ka arsyetuar me përgatitjen e hapësirës përkatëse, duke menduar edhe për personat përcjellës të pacienteve që mund të atakohen, prandaj hapësirës së vendosjes së aparatit ka thënë se i është kushtuar rëndësi parësore.

Për deputeten e AAK-së në Kuvendin e Ferizajt, Abetare Kurtin, ky aparat ka qenë më se i domosdoshëm, por që funksionalizimi i tij tash ka rëndësinë e vet.

"Ne kemi bërë kërkesë të vazhdueshme të drejtori për vënien në funksion të tij dhe kemi hasur gjithnjë në mirëkuptim. Më në fund po bëhet një hap i madh për shëndetin e gruas", ka thënë këshilltarja Kurti.

Dy radiologe dhe dy infermiere janë të angazhuar në punë me mamograf. Infermierja Rabie Ismaili ka vlerësuar se ka qenë një mungesë e madhe ky aparat.

"Gjatë trajnimit që kemi ndjekur në Prishtinë kam vërejtur shumë nga Ferizaj që vinin aty dhe maltretoheshin shumë", ka t hënë infermierja Ismaili.

Drejtori Karameta ka thënë se me përkrahjen e kryetarit Svarqa, së shpejti do të bëjnë edhe një institucion tjetër skreningu, do të bëhet edhe papa-testi që shërben për diagnostifikimin apo preventivën e kancerit në mitër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat