Kush kërkon shkarkimin e prorektorit Fetah Podvorica?

Kosova

Kush kërkon shkarkimin e prorektorit Fetah Podvorica?

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 18:58

Ka disa javë që një numër i anëtarëve të Senatit të Universitetit të Prishtinës i kanë drejtuar shigjetat në drejtim të prorektorit Fetah Podvorica, duke kërkuar që ai të largohet, jo nga detyra e Prorektorit për Shkencë, por nga posti i anëtarit të Komisionit për Studime të Universitetit.
E tëra filloi kur ky Komision, duke shqyrtuar propozimet e fakulteteve për avancim të stafit akademik, konstatoi se në shumicën dërrmuese të rasteve nuk plotësohen kushtet minimale për avancim të parapara me Statutin e Universitetit. Me Statut kërkohet që kandidati i propozuar për profesor të rregullt t’i ketë pesë punime të publikuara në revista ndërkombëtare, tri për profesor të asociuar, ndërsa për profesor asistent vetëm një.

Kushtet e lartpërmendura nuk i plotësonin as anëtarët e Senatit që ishin propozuar për avancim. Disa prej tyre kërkojnë që, në vend të punimeve që nuk i kanë, t’u njihen si publikime ndërkombëtare kumtesat që i kanë prezantuar në konferenca të ndryshme, për të cilat, njohësit e fushës thonë se nuk e kanë vlerën e punimeve shkencore të publikuara në revista.

Të tjerët presin që t’u njihen punimet e publikuara në revista me vlera të dyshimta që nuk i filtrojnë fare punimet që u dërgohen, të tipit të revistave ku publikoi rektori i mëhershëm, Ibrahim Gashi, i cili, pikërisht për këtë shkak, u detyrua të jep dorëheqje. Gjithnjë duke u thirrur në shumicën e votave që kanë fituar nëpër fakultetet e tyre, anëtarët e Senatit kundërshtojnë kërkesën e Komisionit për Studime që punimet të jenë të publikuara në revista të besueshme ndërkombëtare, e që, sipas Komisionit, janë revista që nuk kualifikohen si të dyshimta dhe kanë recension të besueshëm ndërkombëtar.

Për të gjitha këto “fajësohet” prorektori Fetah Podvorica, i cili është anëtar i Komisionit për Studime tani 10 vjet, ndërsa për herë të fundit është rizgjedhur në këtë post dy vjet para se të bëhej Prorektor për Shkencë, pikërisht nga ky Senat. Sipas biografisë zyrtare të publikuar në ueb-faqen e Universitetit, Fetah Podvorica është diplomuar për kimi në Universitetin e Prishtinës me notë mesatare 9.9. ndërsa magjistraturën dhe doktoratën i ka mbaruar në Francë në Universitetin Paris 7 - Denis Diderot. Është autor i 27 punimeve shkencore të publikuara në revista ndërkombëtare dhe autor i tri patentave të regjistruara, ndërsa çdo vit i kalon disa muaj në universitetin ku ka doktoruar si profesor vizitor.

Njohësit e punës kërkimore-shkencore në Kosovë thonë se shkencëtarët krahasohen sipas numrit të citimeve që u bëhen punimeve të tyre të publikuara. Sipas databazës Google Scholar, punimet e Fetah Podvoricës janë cituar gjithsej 2170 herë që e klasifikon ndër tre shkencëtarët më të cituar nga Kosova. Ndërkaq, anëtarët e Senatit që kërkojnë shkarkimin e tij nga Komisioni për Studime, i cili ka për detyrë të sigurojë respektimin e kritereve akademike në Universitet, ngecin dukshëm në këtë aspekt prapa prorektorit Podvorica.

Sipas databazës Google Scholar, më së shumti citime nga anëtarët e Senatit ka dekani i FSHMN, kimisti Tahir Arbneshi (402), pastaj mjeku Ibrahim Behluli (169), biologu Kemajl Kurteshi (94), inxhinieri i Makinerisë, Shaban Buza (28), dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku (9), dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Naser Kabashi (7), dekani i Fakultetit të Makinerisë, Musli Bajraktari(4), dekani i Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti (3). Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi, dhe dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, nuk janë cituar asnjëherë nga kolegët e tyre në botë. Një matematikë e thjeshtë tregon se Fetah Podvorica ka trefish më shumë citime se të gjithë anëtarët e përmendur të Senatit bashkë.

Para disa javësh, në një debat në Facebook, dekani i Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti, e ka quajtur Fetah Podvoricën “kimist të dy epruvetave dhe një reagensi që qymezeve të Parisit i ka bërë kinse disa punime”, duke e ftuar atë në ballafaqim për të kuptuar se “kush ka vlera dhe punime për t’u vlerësuar”. Ndërkaq, databaza Google Scholar flet për një raport tjetër të vlerave - 2170 herë është cituar Fetah Podvorica, ndërsa tri herë Skender Ahmeti. Përndryshe, Skender Ahmeti është autor i punimit “The Importance of Investments on Small - and Medium-Sized Enterprises (SMEs) Growth: The Case of Kosovo” i cili është i kopjuar pikë për pikë nga punimi i autorit Besnik Krasniqi me titull “What Determines SME investment in Kosova”. Për këtë temë kanë shkruar mediat në shkurtin e vitit 2014, ndërsa redaksia jonë i posedon të dy punimet.

Nga të gjitha këto duket e kuptueshme pse insistimi i Podvoricës në plotësimin e kritereve akademike nuk has në mirëkuptimin e shumicës së anëtarëve të Senatit. Këtë e ka përmbledhur,në mënyrën e vet, Muharrem Nitaj, i cili pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Këshillit Drejtues të UP, i shkruan ish-ministrit Ramë Buja: “Në piramidën e ‘krimit akademik’ në Universitetin e Prishtinës, janë të ngujuar më tepër se 80 për qind e profesorëve të UP-së dhe së paku gjysma e atyre që sot kanë poste drejtuese në gjitha strukturat e tij”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat