Haziri: Shumë shpejt do të nisin punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve

Kosova

Haziri: Shumë shpejt do të nisin punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 15:48

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka raportuar para asamblistëve për punën e tij gjashtë mujore të këtij viti dhe i është përgjigjur të gjitha interesimeve të tyre, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri ka theksuar se në qeverisjen komunale po punohet në të gjitha aspektet për ta përmirësuar gjendjen në Gjilan, duke specifikuar vazhdimin e ‘dietës’ së ashpër buxhetore për sanimin e, siç tha ai, avarive të gjetura.

Kreu i Gjilanit u shpreh se gjatë kësaj periudhe kohore kanë bërë punë të mira në të gjitha sektoret dhe po punohet në kthimin e besimit të qytetarëve në institucione, në mënyrë që të përkthehet me pagesë të rregullt të taksave ndaj Komunës.

Puna më e madhe gjatë këtyre muajve, sipas Hazirit, është disiplina në punë, në administratë, shërbim civil dhe organe tjera komunale.
“Jemi krenarë për hapin e vogël për përmirësimin e ambientit të punës në Gjilan”, tha kryetari Haziri.

Tutje, para asambleistëve të Gjilanit, i pari i kësaj Komune tha se gjatë javës së kaluar kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Ambientit për vazhdimin e projektit të lumit “Mirusha”, duke shtuar se përgjegjësinë kryesore për këtë projekt e ka tash Komuna e Gjilanit dhe punimet pritet të nisin shumë shpejt.
“Paralelisht me rregullimin e shtratit të lumit “Mirusha”, po punojmë edhe në rregullimin e shtratit të lumit “Stanishorka” dhe përrockave tjera, sikurse edhe vazhdimin e punëve të mëdha në alfaltim të rrugëve, rregullim të rrejti të kanalizimit, ujësjellësit, ndërtim të fushave të sportit etj. Jam i interesuar t’i zgjidh përgjithmonë problemet me vadat, për ta përmbyllur këtë projekt me ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza me ndihmën e miqve, donatorëve të huaj”, u shpreh ai.
Kryetari Haziri ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisin punimet tek pjesa kryesore e Varrezave të Dëshmorëve, ndërkaq punët tjera do të vazhdohen në vitin e ardhshëm.

Sa i përket Kampusit të shkollave të mesme, kryetari i Gjilanit tha se është në proces ndërtimi i tij dhe zhvendosja e Universitetit “Kadri Zeka” në kazermën e FSK-së, duke shpresuar në ndihmën e qeverisë në këtë aspekt.

Kryetari Lutfi Haziri pohoi se ndihet i lumtur me arritshmërinë e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ku Gjilani është ranguar lart në këtë aspekt, ndërsa tha se me seriozitet edhe më te madh do të punohet në sektorin e arsimit.

Haziri ka deklaruar se gjatë këtyre muajve është punuar shumë edhe në përmirësimin e shëndetësisë primare.

Ai ka paralajmëruar se gjatë këtyre ditëve do të filloj projekti i ndërtimit të parkut në lagjen “Dardania”, që është projekt i fituar në Komisionin Europian dhe disa projekte tjera.
“Krahas kësaj, ne presim të konfirmohet formalisht nënshkrimin e çerdhes në lagjen “Dardania” me qeverinë amerikane. Presim investime nga qeveria zvicerane në riparimin e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Gjilanit, me qeverinë gjermane në sektorin e arsimit, me bankën gjermane në sektorin e efiçinecës së energjisë elektrike dhe renovimeve nëpër shkolla, me qeverinë e Austrisë në trajtimin e ujërave të zeza dhe me qeveritë tjera që janë solidare me Komunën e Gjilanit”, ka potencuar kreu i Gjilanit, ndërkaq është përgjigjur në pyetjen e asambleistëve të opozitës rreth vizitës në SHBA.

“Vizita në SHBA ka qenë e lidhur ngushtë me dy organizatat më të mëdha të qyteteve në botë. Ne duhet të lidhemi me ta dhe ta ndajmë eksperiencën. Ju përkujtoj se njëra nga këto programe Komuna e Gjilanit ka përfituar në vitin 2008”, tha Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat