Një problem teknik lë qytetarët të presin për dokumente

Kosova

Një problem teknik lë qytetarët të presin për dokumente

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 14:05

Shumë qytetarë sot në orët e mëngjesit kanë pritur nëpër zyrat e nxjerrjes së dokumenteve për pasaporta dhe letërnjoftime, pasi këto zyre u ballafaquan me ndërprerjen e rrjetit nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Zyrtarja për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Roksana Qarri bëri të ditur për Telegrafin natën e mbrëmshme pas orës 23.00, është shfaqur një problem me sistemin e ftohjes, prandaj për shkak të mos e rrezikuar sistemin është ndaluar energjia elektrike në tërë objektin e MPB-së.

“Mbrëmë pas orës 23:00, kemi pasur një problem me sistemin e ftohjes, gypi që e bënë furnizimin me ujë, sistemin ftohës është plasaritur, ka filluar rrjedhja e ujit dhe uji i derdhur mbi objekte ka paraqitur rrezik permanent për sisteme, prandaj për shkak të mos rrezikimit të sistemeve jemi detyruar mbrëmë ta ndalim rrymën në tërë objektin (në këtë rast edhe të gjitha sistemet janë ndalur). Ndërsa sot nga ora 10 është rregulluar problemi dhe sistemi është duke punuar shumë mirë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, për shkak të problemit të paraqitur sot vetëm për dy orë ka filluar grumbullimi i qytetarëve, por pas evitimit të problemit menjëherë ka filluar procesi i punës të normalizohet.
“Nuk ka radhë të qytetarëve dhe pajisja me dokumente do të jetë brenda afatit ligjor të paraparë. Ky problem nuk ka ndodhur më parë, por duke ju falënderuar ekipit teknik që e kemi është arritur shumë shpejtë të evitojmë problemin dhe të normalizohet procesi i punës”, ka thënë Qarri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat