Qeveria e Kosovës, mbledhje të premten për Specialen. Mbrojtje falas të akuzuarve

Kosova

Qeveria e Kosovës, mbledhje të premten për Specialen. Mbrojtje falas të akuzuarve

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 13:31

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar një mbledhje të qeverisë të premten, për të riproceduar në Kuvend amendamentin kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar do të miratohet edhe projektligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë, në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

Riprocedimi në Kuvend, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese nga ana e tij, sipas njoftimit të Qeverisë është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën, në procesin e përmbushjes së detyrimeve që shteti ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës, sipas komunikatës për media të lëshuar nga Qeveria, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cënojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës.

Sipas komunikatës së Qeverisë, përmbushja e këtij detyrimi nga institucionet e Kosovës do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për dyshimet individuale, që mund të lidhen me këtë proces, dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.

Pas këtij riprocedimi, Kuvendi i Kosovës do të ftojë javën e ardhshme një seancë për të votuar edhe njëherë amendamentin kushtetues për Specialen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat