Kosova po bënë pazare me Ushtrinë e Kosovës

Kosova

Kosova po bënë pazare me Ushtrinë e Kosovës

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 12:49

Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës vazhdon të jetë temë debati në Kuvendin e Kosovës. Edhe në seancën e sotme, deputetët e opozitës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se po bënë pazare me Listën Serbe dhe po pyetet Beogradi nëse duhet apo jo që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk e ka paraparë në listën e saj të institucioneve të sigurisë, Ushtrinë e Kosovës, e madje as Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës në listën e Institucioneve të autorizuara të sigurisë nuk e ka të listuar atë më kryesoren, Ushtrinë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Madje, as FSK-në nuk e liston në kuadër të institucioneve të autorizuara shtetërorë të sigurisë. Në ndërkohë, nëpër rrugët procedurale në Qeveri e parlament ka kohë që qarkullojnë amendamentet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në FAK. Këto amendamente i kishim edhe vjet, në legjislaturën e kaluar, i kemi edhe tani. Edhe atëherë edhe tani, Lëvizja Vetëvendosje i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë këto amendamente kushtetuese, megjithë vërejtjet që i ka dhe po ashtu me gjithë dëshirën e Qeverisë që ne t’i kundërshtojmë ato”, tha Selimi.

Sipas tij, vitin e kaluar Qeveria pati tentuar t’i fusë në një pako me vendet e rezervuara, derisa këtë herë po tenton t’i fus në një pako me Gjykatën Speciale. Selimi e ka vlerësuar si lojë të rrezikshme dhe pazar i rëndë për Kosovën, sepse po pyetet Beogradi për ushtrinë e Kosovës.

“Edhe sivjet sa e sa herë u mat që këto ndryshime t’i fusë në pazar me Gjykatën Speciale, edhe tash po e njëjta situatë duket që është në raport me konsesione në dëm të Kosovës. Pra, Ushtria e Kosovës është nxjerrë në aksham pazar nga Qeveria. Këto amendamentet po sjellen k ëtu në Kuvend, jo për t’i kaluar ato, por sa herë ka diçka të keqe të votohet. Si përfundim Qeveria e ka sjellur Kuvendin e Kosovës në një situatë kur duhet ta pyesim Listën Serbe që ta kemi apo mos ta kemi ushtrinë tonë. Dukë e ditur që Lista Serbe për gjithçka vepron me direktiva të Beogradit, atëherë ne sot po presim leje nga Beogradi që a ta bëjmë ushtrinë tonë apo jo! e sa herë e pyesim Beogradin për këtë gjë, dihet mirëfilli përgjigja e tyre”, theksoi ai.

Ndërsa, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Labinotë Demi-Murtezi, ka ngritur çështjen e trafikimit të femrave, ngacmimit të të miturave nga policët në detyrë, ngacmimit të nxënëseve të tyre nga mësuesit, e çështje tjera.

Derisa, ka përmendur edhe një raport të DASH-it e cila e ka radhitur Kosovën si një ndër vendet kryesore të trafikimit të grave.

“Një përgjegjësi sigurisht me të madhe do të ishte e kryeministrit, gjithashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës për të hartuar një strategji efektive e cila do t’i inkurajonte gjithë qytetarët për bashkëpunim. Të nderuar qeveritar publikoni emrat e policëve keqpërdorues të detyrës duke abuzuar me të miturat, suspendoni ose largoni fare nga puna mësuesit që ngacmojnë nxënëset e tyre, mbyllini kafiterit e shumta në bashkëpunim me qeverisjet lokale që janë me afër shkollës edhe më afër se bibliotekat dhe libraritë që duhet t’i kenë qytetet, ndërmerrni edhe hapa tjerë pos këtyre dhe shihni pastaj gjendjen e atyre vajzave e grave të cilat përbijnë gjithçka për të mos e humbur vendin e punës së tyre”, tha Demi-Murtezi.

Deputetja e pavarur Margarita Kadriu ka kërkuar nga ministria e Financave që të bëjë publike listën me emrat e atyre që do të përfitojnë nga ligji për faljen e borxheve, në mënyrë që të mos lejohet të hapen dyshime.

“Është mirë që publiku, bizneset, të gjithë, ta shohin vetë se kush është në atë listë, ku përfitohet nga falja e borxheve. Bëhet fjalë për 680 milionë euro, andaj duhet të ketë transparencë të plotë, e cila arrihet vetëm përmes bërjes publike të listës dhe të vlerave përfituese nga buxheti i shtetit”, tha Kadriu.

Ndërsa, menjëherë është përgjigjur Ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili tha se 90 përqind e atyre që përfitojnë nga falja e borxheve janë qytetarët me asistencë sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat