​Çollaku merr mbështetje të fortë nga Austria për MSA-në

Kosova

​Çollaku merr mbështetje të fortë nga Austria për MSA-në

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 11:00

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka marrë mbështetje të fortë nga Austria, për nënshkrimin e MSA-së dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave përmes drejtorit politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Austrisë, ambasadorin Jan Kickert, me të cilin u takua sot.

Ambasadori Jan Kickert thuhet të ketë zënë në gojë edhe punën e misionit vlerësues për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave që ishte në Kosovë. Për këtë ambasadori Kickert, ka theksuar se misioni është ndarë i inkurajuar me zbatimin kritereve teknike duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë për përmbylljen e këtij procesi.

Ambasadori Jan Kickert, përveç kësaj thuhet të ketë folur edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen se Samiti i Vjenës do të shërbej si platformë për të konfirmuar forcimin e bashkëpunimit përmes projekteve infrastrukturore të cilat do të ndikojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kickert, nga ministri Çollaku është informuar për zhvillimet e fundit në Kosovë. Siç thuhet edhe në komunikatën për media të ministrisë për Integrime, Çollaku e ka njoftuar ambasadorin Kickert për hapat që kanë ndërmarr institucionet e Republikës së Kosovës drejt plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave duke thënë se pret që brenda këtij viti të ketë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me këtë proces.

Po ashtu ka theksuar se Kosova është e gatshme për ta nënshkruar edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit sa më shpejt dhe të filloj zbatimin e saj në vitin 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat